Kryeministri Edi Rama mblodhi mëngjesin e kësaj të hëne në selinë rozë kryesinë e Partisë Socialiste dhe drejtuesit politikë të qarqeve ndërsa në lidhje online kanë qenë edhe kryebashkiakët socialistë.
Në fokus të mbledhjes së përjavshme kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet e 11 Majit, por në mënyrë të veçantë vota e diasporës.
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura është vendosur delegimi i Eduart Shalsit në qarkun e Kukësit në vend të Pandeli Majkos. Ky i fundit emërohet drejtues politik në një nga njësitë e kryeqytetit.
Kryeministri Rama ka kërkuar nga strukturat e Partisë socialiste krijimin e një database me kontaktet e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, për të maksimilizuar votën e tyre në zgjedhjet e 11 Majit pasi vota e tyre pritet të jetë e rëndësishme në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Më 11 Janar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis regjistrimin online të shqiptarëve të diasporës.
Regjistrimi bëhet nëpërmjet platformës Elektronike të Regjistrimit në të cilën mund të futesh nga aplikacioni KQZ ose përmes faqes së internetit të institucionit.
Klan News