Në bashkëbisedimin me shqiptarët në Amerikë në takimin e tyre në Nju Jork, kryeministri Rama u pyet se çfarë mund të bëjnë ata që t’i ndryshojnë mendimin njëri-tjetrit se kjo nuk është politikë apo fe, por shqiptarizëm.

Kryeministri tha se shqiptarët jashtë atdheut e kanë pasur të vështirë të bëhen bashkë për shkak të diktaturës që ka pasur brenda kufijve. Rama shpjegoi se si përçarja ka përndjekur për shumë vite, por beson se nëse kapërcehet dhe politika e partitë shihen si interes, do të bëhet shumë më tepër.

Ajo çfarë u kërkoi shqiptarëve jashtë kufijve është që të bëhen garant që Shqipëria nuk do të bëjë më hapa pas përmes pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Rama tha se progresi është në rrezik,  ndaj duhet ndihma e të gjithëve për ta bërë vendin anëtar të BE.

Edi Rama: Unë besoj që ju jeni më të shpejtë dhe më të aftë ta lexoni politikën në Shqipëri, flas për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë sepse e paranjëherë,  juve në mëngjes shkoni në punë që të gjithë dhe nuk shkoni në kafe për të filluar punën duke u marrë me punët e të tjerëve. E dyta, juve dini të vlerësoni punën dhe suksesin, ndryshe nga shumëkush në Shqipëri që nuk ta fal kurrë suksesin. E treta,  mbi të gjitha ju keni nevojë për shqipërinë pa diskutim, por Shqipëria ka nevojë më shumë për ju më shumë se ç’keni ju nevojë për të në këtë fazë të historisë së saj sepse Shqipëria është si ju dhe është sot pikërisht në atë fazën ku hytë ju pasi e kaluat fazën e parë këtu që e keni filluar nga hiçi duke bërë punët më të vështira, duke pasur në kurriz shumë paragjykime dhe një nga arsyet e suksesit tuaj, mesa kam kuptuar është që shqiptarët kanë ndihmuar shqiptarët, që kush ka ardhur përpara ka ndihmuar ata që kanë ardhur mbrapa, prandaj diaspora sot, prandaj shqiptarët jashtë atdheut sot duhet të luajnë për Shqipërinë atë rol që kanë luajtur ata shqiptarët këtu që kanë ndihmuar shqiptarët që kanë ardhur. Duhet të bëhen garant me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duhet të bëhen garantët që Shqipëria nuk kthehet më mbrapa. Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por është akoma një progres në rrezik, nëse të gjithë së bashku nuk e shtyjmë përpara në këtë kilometër të fundit për ta bërë anëtare të Bashkimit Europian./tvklan.al