Sipas një sondazhi të fundit të publikuar, imazhi i uniformave blu në sytë e qytetarëve është përmirësuar. Teksa u shpreh i kënaqur me shifrat për besimin te Policia e Shtetit, Kryeministri Edi Rama vuri theksin tek projekti “Smart City”.

Sipas tij, me këtë projekt inovativ, të gjitha ankesat e qytetarëve dhe çdo shkelje, do konfirmohen në kohë reale në 20 qytete të vendit.

“Do të kemi një transformim epokal për sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor shkeljen dhe shkelësit. Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme por verifikon me personin emrin mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”, tha Edi Rama.   

Sondazhi faktoi se 82% e qytetarëve ndihen të sigurt, dhe kjo e dhene për kryeministrin Rama tregon besimin tek puna e forcave te policisë.

“Kjo është totalisht brenda normës së mesatares së Bashkimit Europian dhe anketa ka të dhëna dhe për pozicionin e Shqipërisë në raport me vende të tjera në të gjitha vitet që është bërë, edhe aty shihet qartë se si pozicioni ka ndryshuar dhe si Shqipëria nga vrima e fundit e kavallit në vitin 2013 në të gjithë parametrat është afruar drejt mesatares së BE-së”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që policia të jetë më llogaridhënëse, por tha se duhet të ndalet baltosja e punës së tyre.

“Praktikisht është një hendek i madh që konfirmohet siç e patë në të gjitha projeksionet për të 6-tën herë në 13 apo 14 vjet,  mes imazhit të Policisë së Shtetit dhe të perceptimit për rendin dhe sigurinë në Shqipëri që shfaqet në ato pasqyra të deformuara nga interesa, gjithfarë politike, tregtare, mediatike dhe këndvështrimit të publikut vetë mbi Policinë e Shtetit dhe mbi punën e saj”, tha Rama.

Rama u ndal edhe tek Akademia e Sigurisë, për të cilën tha se nevojitet punë që të jetë e nivelit evropian.

Nisur nga plani për kampusin e ri të sigurisë, kryeministri tha se “Policia e Shtetit 2030″ do jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Klan News