Tragjedia në Larisa ka bërë që parlamenti grek të përfshihet nga një debat i nxehtë mes qeverisë së Kryeministrit Kyriakos Mitostakis dhe partive opozitare.
Kreu i partisë së PASOK, Nikos Androulakis njoftoi depozitimin e mocionit të mosbesimit, duke thënë se do ta paraqesë kur të përfundojnë fjalimet e deputetëve.
Ai akuzoi kryeministrin grek për mungesë ndjeshmërie.
“Prisja qe pas protestës së miliona grekëve që kërkonin të vërtetën dhe drejtësinë, ju të vinit këtu me një nivel empatie. Prisja një kryeministër që do të kërkonte falje për gënjeshtrat që i tha popullit grek, për mashtrimin e qytetarëve dhe propagandën e ndërtuar mbi tragjedinë”, tha Nikos Androulakis.
Por akuzat e partive opozitare për Mitsotakis kërcënojnë stabilitetin politik në Greqi.
“Dy vjet pas tragjedisë, ne po jetojmë një zi të përbashkët, të cilën qarqe të caktuara po përpiqen ta përdorin për të krijuar përçarje”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Qeveria e qendrës së djathtë e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka mohuar akuzat për fshehje të provave dhe mungesë përgjegjshmërie. Me 156 vende në parlamentin prej 300 vendesh, qeveria e tij pritet t’i mbijetojë mocionit të mosbesimit.
Qindra mijëra grekë dolën në rrugë javën e kaluar për të shënuar përvjetorin e dytë të tragjedisë hekurudhore ku humbën jetën 57 persona, mes tyre edhe 6 shqiptarë, duke kërkuar drejtësi për viktimat.
Protestat, janë nxitur nga pakënaqësia publike kundër mosveprimit të qeverisë së Kryeministrit Mitsotakis për të zbardhur ngarjen dhe për të vënë përpara drejtësisë fajtorët.
Klan News