Senati italian ka miratuar në seancë plenare me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.

Në senatin italian, ishte i pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

“Senati sapo miratoi me të gjitha votat pro të anëtarëve të dhomës së senatit marrëveshjen për njohjen reciproke të pensioneve me Republikës së Shqipërisë dhe Republikës italiane. Kjo është një ditë e rëndësishme, jo vetëm për 450-500 mijë bashkëatdhetarët përfitues të kësaj marrëveshje por është një ditë e rëndësishme edhe për familjarët e tyre kudo që ndodhen. Prej këtij momenti, pas firmosjes nga Presidenti Madarela, marrëveshja tanimë hyn në fuqi dhe do të fillojë menjëherë zbatimi i saj nga të dyja qeveritë, qeveria e Republikës së Italisë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një ditë e rëndësishme e finalizimit të një pune shumëvjeçare sa i përket materializimit të kësaj marrëveshje dhe prandaj dua ti dërgoj një përqafim të gjithë bashkëatdhetarëve tanë këtu në Itali duke i falenderuar dhe duke i përqafuar fort për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm”, është shprehur Taulant Balla.      

Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Qeveria Rama dhe ajo italiane e Meloni-t e nënshkruan më 6 Shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sipas senatorëve që diskutuan në seancë, palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur në këtë ditë historike.

Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes me shumë shtete anekënd botës për njohjen e pensioneve. Së shpejti që pritet të hyjnë në fuqi marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë ndërsa janë në proces ato me Poloninë e Serbinë.

Qeveria Rama po punon për një marëveshje për njohjen e pensioneve edhe me Greqinë.

Klan News