Jo vetëm ju jep përgjigje pyetjeve, akuzave dhe ofendimeve që vijnë në adresë të tij, por në komunikimin e kësaj të hëne në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri ka ndërhyrë në debatin që ndjekës të ndryshëm zhvillojnë me njëri-tjetrin në faqen e tij. Debat që lidhej me anët pozitive dhe ato negative e të jetuarit në emigracion. Kryeministri ripërsëriti idenë e tij se ata që zgjedhin Shqipërinë janë më të fituar pasi kanë taksa më të ulëta.
“Rroga është ajo që duket, por pas asaj ka edhe taksa dhe ta dini, 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë ndërsa 36% e tyre kanë nga 4-10% taksë, kurse vetëm rrogat mbi 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. E dyta, në turizëm dhe në ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, edhe fjetjen edhe ushqimin ta paguan kompania. Këto janë fakte”, tha Rama.
Sipas tij, Europa nuk të ofron mundësitë e pagesave dhe kursimeve të larta si përpara një dekade.
“Kostoja e jetesës në Europë është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur, këtë e dimë mirë që të gjithë. Prandaj, gjithsekush le t’i shohë me qetësi opsionet e veta dhe të vendosë”, tha Rama.
Ata që do të marrin vendimin për t’u kthyer për kryeministrin duhet të nxitojnë përpara se vendi të bëhet anëtar i BE-së dhe Shqipëria të aplikojë të njëjtat taksa dhe standarde që kanë vendet e unionit.
Tv Klan