Kryeministri Edi Rama synon të bëjë negocimi më të shpejtë në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye thotë se brenda vitit 2027, do të përfundojë procesi i negociatave për Shqipërinë. Nga takimi me Asambletë në Kamëz, Rama thotë se kjo dritare e hapur duhet shfrytëzuar.

“Rrethanat e përgjithshme kanë krijuar nevojën brenda Bashkimit Europian që të përfshijë brenda vetes anëtarë të rinj. Kemi vendosur bashkarisht që brenda 2027-tës do ta mbyllim këtë negociatë”, tha Edi Rama.

Një rezultat jo i kënaqshëm në zgjedhjet e 11 Majit do ndikonte këtë proces, thotë Edi Rama, për këtë arsye nuk kërkon vetëm një fitore në numra.

“Të shkojmë në zgjedhje, le të dali nga aty një rezultat që mund të kompromentojë gjithçka. Duhet një triumf i Partisë Socialiste”, tha Rama.

Edhe në këtë takim Edi Rama, shoqërohej nga “Zonja e Drejtësisë”.

“Më pëlqen shumë kjo zonja”, tha kreu i qeverisë.

Foli për institucionet e reja, që sipas tij PS u ka dhënë shpatën në dorë.

“Duke i dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohin dhe qafën tënde. Se shpata është për tu përdorur, nuk është për tu mbajtur në dollap”, tha Rama.

Zbuloi edhe disa nga diskutimet e brendshme mes socialistëve, në periudhën e heshtjes publike.

“Është stresuese të përjetosh gjëra të cilat nuk është e vështirë të kuptosh që janë gabim. Kemi pasur shumë debate, kemi pasur shumë momente që, ore po mirë tani shiko se kjo bën muu, nuk është ashtu, jo lëre”, tha Edi Rama.

Për herë të parë, iu përgjigj akuzave se fondet e USAID u përdorën për të arrestuar kreun e opozitës.

“Tani kanë dalë që reformën e paska bërë Sorosi. Futi Sorosi në burg liderin e opozitës, vdeksha unë. Një miliarder nga më të mëdhenjtë e botës ja kushtoi jetën kapjen e bufit të kënetës në Shqipëri. Të ishte ndonjë sorkadhe, të ishte ndonjë fazan”, tha Rama.

Edhe njëherë, kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat se Sekretari i Përgjitshëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi është në arrati. Sipas tij, opozita kërkon të bëjë spektakël me njerëzit, edhe me ata që janë në luftë për jetën.

Klan News