Shqipëria do të mbajë vendin e nderit në panairin “ITB Berlin 2025”, një ngjarje e rëndësishme për turizmin ndërkombëtar, ku vendi ynë do të prezantojë trashëgiminë natyrore dhe kulturore të vendit.
Panairi do të zhvillohet nga data 3 deri më 6 Mars, dhe gjatë kësaj periudhe Shqipëria do të shfaqë diversitetin dhe bukurinë e ofertave turistike nën sloganin “All Senses”.
Në këtë organizim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit do të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të sektorit publik e privat dhe mjaft tur-operatorë të sektorit te turizmit.
Përgjatë ditëve të panairit në Berlin do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, si prezantime të agroturizmit, diskutime mbi turizmin aktiv, si dhe performanca muzikore që do të sjellin atmosferën e qyteteve dhe peizazheve shqiptare.
Po ashtu në stendën e Shqipërisë vizitorët do të kenë mundësinë për të mësuar më shumë për zhvillimet e turizmit në vendin tonë dhe për mundësitë e investimeve në këtë sektor.
Në panairin “ITB Berlin 2025”, Shqipëria gjithashtu do të organizojë aktivitete të ndryshme si degustime verërash autoktone shqiptare, por edhe mjaft ekspozita artistike.
Ky panair është një mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë për të tërhequr vëmendjen e agjencive turistike më të rëndësishme ndërkombëtare dhe vizitorëve nga mbarë bota, që vitet e fundit harta e tyre është zgjeruar ndjeshëm, jo vetëm nga Europa, por edhe nga Amerika, Australia dhe Azia.
Klan News