Për herë të dytë me “Zonjën e Drejtësisë” me vete, kryeministri Edi Rama u ndal sërish tek puna e organeve të drejtësisë. Tha se është Partia Socialiste ajo që i ka dorëzuar “shpatën” SPAK-ut dhe zgjodhi të heshtë 5 vite rresht në respekt të këtij pushteti.
Ai zbuloi pak edhe nga diskutimet e brendshme mes socialistëve, në periudhën e heshtjes publikisht.
“Duke i dhënë shpatën i ke hapur sytë për të parë edhe qafën tënde. PS është bërë edhe organizmi mbi të cilin bëhen edhe operacione kundër korrupsionit. Në këto operacione, sigurisht që ka tumore për të pastruar. Por, ndodh që siç ishte ajo historia që mjekët harruan çadrën në stomak… Ndodhin dhe aksidente në këtë process, spese është praktikë e re. Të mbyllësh gojën 5 vjet me radhë, jo vetëm unë. Të gjithë! Jo me kënaqësi, por ama të gjithë me një vetëdije që po bëjmë gjënë e duhur ama. Kemi pasur shumë debate, momente që ore mirë mo tani. Kjo bën muu…nuk është kështu! Jo lëre! Na ka interesuar që shpatën që e kemi dorëzuar, ta besojmë deri në fund që është e tyre. Kjo është sakrificë e madhe në kuptimin e pushtetit.”
Deklaroi se nëse ka një gjë me të cilën duhet të merren organet e drejtësisë është “gjaku në kënetë”, referuar viktimave të “21 Janarit”, ngjarje për të cilën fajëson kryedemokratin Sali Berisha.
“Sot për sot, ky është një proces me luhatje, gabime, me faje po të doni, me shkelje. Por në pikturën e madhe, përveç gjërave pozitive që kanë ndodhur, është gur themeli për të pasur një pushtet drejtësie të pavarur e profesional, garant të lirive dhe të drejtave. Me kë do merret drejtësia?! Me të vdekurit, apo me kënetën? Nëse ka një gjë për t’u marrë me kënetën, është ajo. Gjaku që është në kënetë nga vrasja e njerëzve të pafajshëm, por sa i përket korrupsionit janë çështje që kanë të bëjnë me administrimin e pushtetit dhe në këtë pikë ka dhe një gjë që sa herë ka një luftë të tillë, paralelisht krijohet një perceptim sikur këtu plasi peshku. Në fakt, këtu ka filluar pastrimi!”, tha Rama në Kamzë.
/tvklan.al