Nga takimi i tij me socialistët në Kamzë, kryeministri Edi Rama vuri sërish theksin te prioriteti i tij, që është procesi i negociatave me BE-në. “Kemi vendosur bashkarisht që brenda 2027-ës duhet ta mbyllim këtë proces negociatash”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ai tha se më 11 Maj, fitorja e Partisë Socialiste nuk duhet të jetë thjesht aritmetike.
“Nëse ndodh, do të ishte negocimi më i shpejtë në historinë e zgjerimit të BE-së. Nuk ka mundësi që ne të humbasim më asnjë muaj! Nuk duhet një fitore aritmetike e PS-së, por një triumf. Një fuqi me votën e shqiptarëve që më 11 Maj nuk duhet të mendojnë të parën partinë dhe logon që do zgjedhin, por Shqipërinë në rrugën e negociatave dhe janë 1 mijë veta të ulur në të gjitha tryezat që bëjnë negociata. Janë 40 persona që merren vetëm me këtë punë, Tiranë-Bruksel, Bruksel-Tiranë.”
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian sipas tij, garanton 3 gjëra. “Lirinë individuale, barazinë para ligjit dhe standardet europiane të bashkëjetesës demokratike.”
Që prej çeljes së grup-kapitujve me BE-në, Rama e ka deklaruar herë pas here se në fokusin e mazhorancës qeverisëse është të ulet në tryezën europiane si anëtare me të drejta të plota. Qytetarëve shqiptarë u është drejtuar me thirrjen për “t’u bashkuar në këtë mision”, i cili sipas tij është historik dhe patriotik.
/tvklan.al