“BE-ja do të vendosë një sistem sigurie”
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në Shqipëri nuk do të kthehet regjimi i vizave.
Ai është shprehur pas pyetjes së gazetarëve se BE-ja synon të vendosë një sistem sigurie për vendet që mund të hyjnë në vendet europiane pa vizë.
Kjo lëvizje sipas Ramës bëhet si filtër në kuadër të sigurisë së BE-së kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
“Ka që në 2016-n që flitej për këtë. Gjithsesi nuk bëhet fjalë për një kthim pas, por për një sistem sigurie të BE-së për të gjitha shtetet jo anëtare të BE-së, qytetarët e të cilëve duan të hyjnë në vendet e BE-së dhe nuk kanë vizë. S’ka lidhje fare me qytetarët që nuk kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i lidhur me terrorizmin krimin e organizuar etj. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE. Nuk është kthim mbrapa tek viza siç me siguri do të predikohet nga gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës dixhitale në Gjirin e Lalëzit. Është një masë që prite se kur do bëhet. Për shembull Turqia ka nevojë për vizë për të hyrë në vendet europiane dhe nuk u kërkohet kjo. Është thjesht një filter në kuadër të sigurisë së BE-së kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, tha Rama. /tvklan.al