Deri në fund të dhjetorit do të firmoset një marrëveshje për sistem të ri të sigurimit dhe të monitorimit në shkolla. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me Këshillat e Prindërve dhe përfaqësues të shkollave gjatë diskutimeve për dhunën dhe ngjarjen tragjike te shkolla “Fan Noli”.
“Kemi një projekt që e kemi filluar prej një viti dhe po e finalizojmë tani dhe deri në fund të dhjetorit do firmosim marrëveshjen, bëhet fjalë për një sistem të ri të sigurimit të shkollave. Një sistem i testuar dhe i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultatet jashtëzakonshme që mundëson ndjekjen me kamera të të gjithë procesit mësimor brenda mureve te oborrit te shkollës. Çdo prind në çdo kohë, mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke bërë një kërkesë pranë shkollës.”
Gjithashtu në kuadër të planit të masave të sigurisë, Kryeministri Rama tha se do të ketë edhe shtim të kontrollit fizik që në hyrje të ambienteve të shkollave.
“Tjetra e rëndësishme do e kombinojmë me element plus, kontroll digjital i të gjitha hyrjeve dhe daljeve për çdo lloj mjeti metalik ose telefon që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa e çanta që të zbatojmë strikt rregullin e ndalimit të celularëve në shkolla.”
Lidhur me diskutimet per mbylljen e platformave online si TikTok dhe Snapchat, Rama theksoi se po diskutohet çdo skenar i mundshëm.
“Tik tok dhe Snapchat janë më problematike, mbyllja e tyre vjen nga një diskutim i gjatë, nuk është zgjidhja e problemeve por mund të na sjellë në një ngushtim që të këtyre rasteve në përgjithësi.”
Lidhur me rastet e dhunës dhe të bullizmit në shkolla sipas Ramës janë raportuar mbi 2 mijë e 30 të tilla të cilësuara si raste problematike të dhunës a bullizmit.
Klan News