Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe të martën vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i qeverisë është takuar me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka raporton nga Uashingtoni se takimi me Blinken pritet që të zgjasë gjithsej 45 minuta.

Gazetarja raportoi se në fokus të diskutimeve mes të dyve është 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Po ashtu është çështja e Afganistanit dhe mirënjohja që ka SHBA për Shqipërinë që priti afganët që iu larguan regjimit taleban.

Çështja tjetër me interes që është pjesë e diskutimeve është edhe fakti që Shqipëria dhe SHBA në Këshillin e Sigurimit në OKB do të jetë bashkëautore e çdo iniciative që do të merret për Ukrainën.

Pas përfundimit të takimit, Rama pritet që të japë një intervistë për një media lokale dhe pas kësaj do të zhvillojë një bashkëbisedim me gazetarët që shoqërojnë delegacionin e kryeministrit./tvklan.al