Prej disa ditësh kreu i opozitës ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë është arratisur me bekimin e Ramës për shkak të frikës nga drejtësia. Por kryeministri e etiketon si pengmarrje të Ëngjëll Agaçin nga ajo që e quan opozita kënetore.

“Ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij dhe me ferman të Bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, një person në arrati nga drejtësia dhe me tam-tamet e mushkonjave anafele të kënetës mediatike, të cilat hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK-ut në kryeministri, e marrjes së laptopit të sekretarit dhe syrit që t’u dalë bashkë me qimen e bufit”, tha Rama.

Përveçse bën një përmbledhje të karrierës së tij, kryeministri thotë se e vërteta e largimit të Agaçit drejt Italisë lidhet me gjendjen e tij të rënduar shëndetësore.

“Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes, si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare për të cilin u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike polmonare. Me fjalë tjera, dalje të mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku për disa ditë, mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë”, tha Rama.

Rama akuzon dhe mediat pavarësisht njoftimit të bërë dy javë më parë nga kryeministria për arsyet e largimit të Sekretarit të Përgjithshëm jashtë vendit, vijojnë ta trajtojnë këtë çështje si ushqim për emisionet e tyre politike.

Mirë ca qimra e ca jargë të bufit në pasqyrën mediatike të folësë tij, po i sëmuri që lufton për jetën andej, është bërë mish për qoftet e klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur dhe famëkeq si shpifaraku më i madh që ka lindur toka shqiptare dhe si shkelësi më brutal në historinë e këtij vendi, i çdo zakoni, i çdo kanuni dhe i çdo norme njerëzore”, tha Rama.

Sipas kryeministrit arsyet e fushatës së shpifjeve nga ana e opozitës lidhen me vetëdijen për humbjen e zgjedhjeve.

Tv Klan