Konsiderohet parajsa e radhës ekonomike për futbollistët, por jo të gjithë duan të firmosin në Arabinë Saudite. Kampionati i Lindjes së Mesme është refuzuar nga sulmuesi i Barcelonës, Rafinja. Është gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” që e konfirmon diçka të tillë, me brazilianin që thuhet se ka refuzuar kalimin në Arabi.

Rafinja ka dalë nga planet e trajnerit Çavi Hernandez dhe Barcelona e shikon si mundësi të mirë për të mbushur edhe arkat e klubit. Megjithatë, Rafinja duket i kënaqur me situatën e tij aktuale.

Preferenca e tij është qëndrimi te Barcelona, ku ndihet rehat si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Megjithatë, sfidat financiare të cilat po përballet klubi vënë në dyshim të ardhmen e tij. Rikthimi në Premier League shihet si më i mundshëm, mbi të gjitha nëse do të përmbush edhe kushtet e kërkuara nga Katalanasit.

Klubet londineze, Chelsea, Arsenal dhe Tottenham kanë shfaqur interes dhe janë gati për të joshur 27-vjeçarin. Rafinja ka një kontratë deri në verën e vitit 2027 me Barcelonën, që e mori për 58 milionë Euro dy vite më parë nga Lids Junajtid.

Klan News