Pas fjalimit të Presidentit Pendarovski kishte reagime të shumta. Disa fjalimin e Pendarovskit e quajtën burrështetasi, të tjerët i parashikueshëm.
Disa e quajtën fjalim burrështetasi, të tjerët fjalim të parashikueshëm, pa ndonjë përshtypje të fortë dhe pa ndonjë befasi. Këto reagime pasuan pas fjalimit të fundvitit, të presidentit të shtetit Stevo Pendarovski.
Nga LSDM- thonë se edhe përskaj faktit që nuk pajtohen me disa pika të fjalimit, Presidenti po sillet si burrështetas dhe kjo, siç thonë ata, është demokracia.
Nga VMRO-DPMNE thonë se fjalimi i Presidentit ishte i parashikueshëm, pa përshtypje të fortë dhe pa ndonjë befasi. Nga BDI thonë se pajtohen me gjërat e thëna në fjalimin e Presidentit.
Aleanca për shqiptarët- e përshëndeti fjalimin e presidentit, duke nënvizuar se konstatimet e tij përshtaten me ato të ASH-së. Por nuk pajtohen me pjesën ku Pendarovski lavdëron Zoran Zaevin, për të cilin thonë se është përgjegjës për fenomenet negative në vend.
Gjatë fjalimit morën pjesë edhe përfaqësuesit diplomatik në vend.
Çfarë tha Pendarovski?
Presidenti Pendarovski fjalimin e fundvitit e nisi me një minutë heshtje për jetët e humbura të qytetarëve të RMV-së në aksidentin tragjik në Bullgari, në zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe të gjitha viktimave si pasojë e COVID-19.
Sipas Presidentit, seritë e tragjedive të tmerrshme dhe traumat kolektive përfundimisht duhet të zgjojnë ndërgjegjen tek institucionet kompetente.
“Mënyra e vetme që ta kthejmë besimin në institucionet është që të kemi epilog juridik për çdo rast ku ekzistojnë dyshime për vepra penale. Aksidenti tragjik ku humbën jetën 45 qytetarë tanë ishte I fundit në serinë e rasteve të këtilla. Nëse ky, por edhe rastet tjera nuk marrin epilog gjyqësor, mosbesimi I qytetarëve vetëm se do të rritet”.
Presidenti Pendarovski u prononcua edhe rreth vetos bullgare për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas Presidentit, në kontekstin aktual kur dihen “linjat e kuqe” të vendit, nuk duhet të preokupohemi me të tjerët, por t`I zbatojmë reformat nga të cilët varet cilësia e jetës së qytetarëve. Ajo që shqetëson Presidentin është retorika e Sofjes që tejkalon pohimet e deritashme që lidhen me historinë, gjuhën dhe identitetin.
“Një nga këto teza është se po zbatojmë debullgarizimin sistematik që s`ka asgjë të përbashkët me realitetin. Është e pamundshme që ambasadorët e 30 vendeve, prej të cilëve 16 janë të BE-së, të mos i njoftojnë kryeqytetet e tyre për një proces të këtillë, nëse ekziston”.
Presidenti Pendarovski shprehet i prerë se prolongimi i negociatave me BE-në nuk cënon sigurinë e vendit, pavarësisht disa paralajmërimeve dhe analizave.
“Të përsëris, qytetarët tanë duhet të jenë të qetë edhe nëse vazhdon bllokimi, nuk na kërcënohet destabilizimi në aspekt të sigurisë, pavarësisht shifrave të NON-PAPER-ave që po plasohen në opinion”.
Por, tërhoqi vërejtjen për diccka tjetër.
“Përvoja nga Samiti i NATO-s në Bukuresht 2008 na mëson se ka mundësi për zmbrapsje demokratike dhe forma të sundimit autoritar e populist të një individi, grupi apo partie”.
Presidenti në fjalimin e tij tha se siguria, sikurse në vitet e 90-ta, po e shtyn në plan të dytë agjendën dhe retorikën integruese duke thënë se është e qartë se politika e stabilokracisë së preferuar dhe status kuosë po përjeton mossukses.
“Kjo ishte njohur nga subjektet kycce të aleancës perëndimore – SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar që kanë emëruar emisar special në Ballkanin Perëndimor, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë në të njëjtën kohë, madje as edhe në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar”.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij ka komentuar edhe dorëheqjen e Kryeministrit Zaev, për të cilin tha se ka patur disa mospajtime.
“Është fakt se ai tërhiqet kur partia e tij është në pushtet, e kjo është situatë diametralisht e kundërt kur nuk patëm mundësi ta bëjmë transformimin e qetë të pushtetit, që drejtpërsëdrejti provokoi ngjarjet e 27 Prillit, turpit më të madh historik për demokracinë e Maqedonisë”.
Në fjalimin e fundvitit Presidenti Pendarovski mes tjerash potencoi se me drejtësi joselektive do të tejkalohet apatia shoqërore dhe zhgënjimi i të rinjve, ku sipas Presidentit, shumë hulumtime kanë konfirmuar se emigrimi I qytetarëve të vendit nuk është shkaktuar vetëm nga arsyet ekzistenciale, por edhe nga cilësia e jetës.
Klan Macedonia