Forcat opozitare kanë marrë qytetin Hama në Sirinë qendrore, fitorja e fundit për rebelët që kur ata filluan një ofensivë. Kjo cilësohet një goditje e madhe për presidentin Bashar al-Assad. Ushtria siriane tha se rebelët hynë në Hama pas luftimeve intensive, duke bërë që njësitë e saj të tërhiqen nga qyteti.
Opozita mori gjithashtu aeroportin ushtarak të qytetit, një nga më të mëdhenjtë në Siri që është përdorur nga forcat qeveritare për të nisur sulmet kundër rebelëve. Mijëra njerëz janë larguar nga qyteti qendror sirian i Hamasit. Ndërkaq pamjet e mediave sociale tregojnë statujën e babait të presidentit sirian Bashar al-Assad, Hafez al-Assad, e cila u rrëzua.
Nga ana tjetër Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësi militant i grupit kryesor në një intervistë ekskluzive me CNN, tha se synimi i koalicionit rebel të Sirisë është përfundimisht të rrëzojë presidentin Bashar al-Assad.
“Kur flasim për objektiva, qëllimi i revolucionit mbetet përmbysja e këtij regjimi. Është e drejta jonë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur këtë qëllim”, tha Abu Mohammad Al-Jolani.
Jolani tha se dëshiron të krijojë një sistem në Siri të bazuar në institucione, një vend që nuk sundohet nga interesat e një lideri. Ndërkohë OKB ka deklaruar se përshkallëzimi ka zhvendosur më shumë se 280,000 njerëz.
Rritja e dhunës ka çuar në frikën e një krize, tha Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres duke folur për një nevojë urgjente për mbështetjen e menjëhershme humanitare. 727 persona, kryesisht luftëtarë, por edhe 111 civilë, janë vrarë në Siri që nga shpërthimi i dhunës javën e kaluar.
Klan News