#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Një udhëtim thuajse treditor në Damask të Sirisë, një prej vendeve më në qendër të vëmendjes në botë. Në një rrugëtim tokësor nga kufiri me Jordaninë deri në Damask dhe një qëndrim atje që ka rezultuar në një eksplorim jo vetëm për situatën aktuale atje, pjesës interesante nga ana gazetareske ku kamera e emisionit “Opinion” u bë kamera e parë që hyri dhe raportoi në Damask drejtpërdrejt për një televizion shqiptar. Hyrja atje nuk është kaq e thjeshtë në këto momente dhe siguria është mjaft problematike. Gjatë kësaj vizite, Blendi Fevziu ra në kontakt me komunitetin shqiptar atje që vazhdon ta ruajë gjuhën shqipe, identitetin dhe zakonet. Një dokumentar 44-minutësh nga momenti i parë i mbërritjes në Jordani dhe deri në momentin e rikthimit. Që nga mënyra e sigurisë, sistemi i rojeve që të mësojnë si të largohesh në rast rreziku. Problemi që është sot në Siri është se duket si një vend i askujt për arsye se grupet që e dominojnë nuk kanë gjetur një marrëveshje mes tyre për ta administruar siç duhet.

Me shotganë dhe makina të blinduara, udhëtimi i pazakontë i Blendi Fevziut drejt Sirisë

Kamera e emisionit Opinion në televizionin Klan është e para që ka hyrë në Siri që pas rënies së regjimit të Bashar al Assad.

Gazetari Blendi Fevziu ka shkuar në Damask të Sirisë nga Jordania.

Ai është nisur nga qyteti Amman i Jordanisë, i shoqëruar me eskorta të blinduara dhe persona të armatosur.

Ekipi i sigurisë që shoqëron gazetarin Blendi Fevziu janë të gjithë të armatosur me pistoleta dhe me shotganë me 12 fishekë. I gjithë grupi shoqërues i sigurisë janë të trajnuar dhe të stërvitur në Jordani.

Grupi i sigurisë që shoqëron Blendi Fevziun drejtohet nga Arianit Shehu, një shqiptar, i cili është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane të luftës kundër terrorizmit.

Lindur dhe rritur në Damask, shkodrani në Siri habit Fevziun: Edhe nusja ime është prej Shkodre

Lindur dhe rritur në Damask, por shqiptarët që jetojnë atje ende ruajnë gjuhën dhe tradita shqipe. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, 2 shqiptarët që jetojnë në Siri kanë treguar me detaje rreth jetesës së tyre në Damask.

Blendi Fevziu: A ke lindur këtu në Damask?

Muhamed Juni: Po.

Blendi Fevziu: Nga je me origjinë?

Muhamed Juni: Prej Kosovës, qyteti Ferizaj. Babai dhe gjyshi kanë ardhur në Damask. Unë kam lindur në Damask.

Muhamed Beshir Arnaut: Unë jam nga Shkodra, babai ka ardhur këtu. Babai ka lindur në Shkodër.

Blendi Fevziu: Në cilin vit keni ardhur këtu?

Muhamed Beshir Arnaut: Këtu kemi ardhur para 100 vjetësh. Jetojmë në Siri. Unë kam lindur në Damask. Shqiptarët këtu janë më shumë prej Kosovës, ne jemi nga Shkodra. Edhe nusja ime është shqiptare, edhe ajo prej Shkodre. Edhe ajo ka lindur në Damask.

Muhamed Juni: Edhe gruaja ime është shqiptare nga Kosova, në Pejë. Ka lindur këtu.

/tvklan.al