Shqiptarët që jetojnë në Siri kërkojnë që të pajisen me pasaportë shqiptare, por thonë se një gjë e tillë nuk është bërë e mundur. Në një intervistë nga Siria për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Muhamed Beshir Arnaut me origjinë shqiptare, lindur dhe rritur në Damask tregon në gjuhën amtare vështirësitë që ka ndeshur për t’u pajisur me dokument identifikimi shqiptar.

Blendi Fevziu: A ke ardhur ndonjëherë në Shqipëri?

Muhamed Beshir Arnaut: Kam ardhur 3 herë në Shqipëri, në 2006, në 2013 dhe në 2019 dhe kam qëndruar tek djemtë e axhës në Shkodër. Bukur shumë, jam kënaqur.

Muhamed Juni: 3 herë kam shkuar në Kosovë dhe 3 herë në Shqipëri. Kam kushërinj dhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.

Blendi Fevziu: A e ke pasaportën shqiptare?

Muhamed Beshir Arnaut: Jo. Kemi bërë dokumentat atje.

Blendi Fevziu: Nuk ta kanë dhënë pasaportën?

Muhamed Beshir Arnaut: Jo, nuk na e kanë dhënë pasaportën. Kam bërë dokumentat e krejt, kam bërë banimin atje dhe Gjykata e Shkodrës…

Edhe shqiptari tjetër nga Kosova, cili është lindur dhe rritur në Damask kërkon që të pajiset me pasaportë shqiptare.

Muhamed Juni: Tani duhet ta marrim pasaportën në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Ti e ke nënën nga Shkodra apo jo?

Muhamed Juni: Po, nënën.

Lidhur me këtë çështje, gazetari Fevziu i ka bërë thirrje shtetit shqiptar që të pajisë me dokument identifikimi ata që kanë origjinë nga Shqipëria. Ai shton se është turp për vendin që nuk u japim pasaporta atyre që janë fëmijë shqiptarësh.

Blendi Fevziu: Shqipëria duhet t’i pajisë me pasaporta të gjithë ata që kanë origjinë shqiptare sepse është turp që ne ende nuk ju japim pasaporta atyre që janë fëmijë shqiptarësh me nënë dhe baba shqiptar kur shqiptarët po marrin pasaporta të huaja në vendet ku po qëndrojnë 5 vjet dhe jo më ata që janë me origjinë shqiptare.


/tvklan.al