Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se do të ketë një reformë në politikat e pagave në të gjitha bashkitë e vendit.

Në përfundimt të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Mazniku tha se kjo reformë nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e pagave, por edhe ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre.

Ndër të tjera Mazniku shtoi se një element i kësaj reforme përveç rritjes së pagave në të gjitha bashkitë, është edhe unifikimi i mënyrës së llogaritjes së tyre.

Arbjan Mazniku: Sot ne konkluduam një proces që nisi që në vitin që shkoi me dialogun vendor dhe më pas u dakordësua bashkë me bashkitë. Ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor, por jo vetëm për pagat. Është një reformë strukturore që merret së pari me ristrukturimin e bashkive, stafet e tyre në tre grupime të mëdha.

Gjithashtu riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën, nga një skemë që i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkisë kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuara të të gjitha bashkive, duke dhënë mundësitë që një jurist apo arkitekt, ekonomist të marrë paga të ngjashme pothuajse në të gjitha bashkitë.

Elementi i tretë është rritja e pagave, të të gjitha bashkive, është në nivele të unifikuara të pagave. Kështu unifikojmë mënyrën e llogaritjes së pagave, me mënyrën sesi llogaritet vjetërsia e punës. Këto janë disa ndryshime shumë të rëndësishme për bashkitë. Ky vendim do t’i japë mundësi bashkive, të rekrutojnë në mënyrë konkurruese nga tregu profesionistë. Ky është ndër hapat e rëndësishëm në ristrukturimin sistematik të të gjitha bashkive.

/tvklan.al