Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u bëri thirrje sot shtetasve shqiptarë që përpara se të udhëtojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të kontrollojnë regjimin e vizave për një informacion më të saktë për vendet ku udhëtohet pa/me vizë.
Dokumentacioni që duhet të sigurojë shtetasi shqiptar për t’u pajisur me vizë në raste të udhëtimit në vendet ku Republika e Shqipërisë është me regjim vizash është i ndryshëm për shkak të legjislacionit të huaj të ndryshëm dhe qëllimit të udhëtimit.
Shtetasit duhet të kenë përgjatë udhëtimit pasaportën me vlefshmërinë e lejuar dhe pranuar nga legjislacioni i shtetit të destinacionit dhe vizën e nevojshme për udhëtim.
Informacioni mbi dokumentacionin, formën dhe mënyrën e aplikimit për vizë apo shteti se ku duhet të aplikohet gjendet në faqet zyrtare të ministrive të vendeve të huaja apo përfaqësive të tyre diplomatike, të cilat kanë në juridiksionin e mbulimit të tyre diplomatik apo konsullor Republikën e Shqipërisë.
Shtetasit shqiptarë para se të udhëtojnë duhet të kontaktojnë me përfaqësinë më të afërt të vendit të destinuar për t’u informuar për kushtet e hyrjes dhe daljes në këtë vend.
Shtetasit shqiptarë duhet të sigurohen nëse në vendet ku do të udhëtojnë ka trazira politike, fatkeqësi natyrore, sëmundje, epidemi apo është e nevojshme vaksinimi. Rekomandohet njohja e traditave, zakoneve dhe dokeve të vendeve ku do të udhëtoni.
Para udhëtimit MEPJ bën të ditur se, në faqet zyrtare të Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të Republikës së Shqipërisë, që mbulojnë vendet ku do të udhëtojnë gjenden dhe numrat e emergjencës për çdo rast fatkeqësie, aksidenti apo urgjence.
Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Egjipt, MEPJ ka publikuar udhëzimin për mbajtjen e ilaçeve për përdorim personal, gjithashtu sasinë e lejuar të medikamenteve, produkteve kozmetikë, produkteve veterinare, si dhe tabelën me ilaçet apo produktet e ndaluara.
Klan News