Për shumë njerëz një nga frikërat më të mëdha është plakja e lëkurës. Ka shumë procedura dhe produkte kozmetike të cilat e ngadalësojnë procesin dhe një nga këto produktet është dhe retinoli , pjesë e familjes së vitaminës A, por përdoret për lëkurën. Retinoli ka hyrë në Shqipëri kohët e fundit dhe për këtë në “ Shije Shtëpie” në Tv Klan ishte e ftuar farmacistja Arba Gramo, për të na shpjeguar pak më shumë se çfarë funksioni konkret ka ky produkt.
Arba Gramo: Ka jashtëzakonisht benefite për lëkurën dhe praktikisht mbulon çdo problematikë të mundur, duke filluar që nga aknet, duke qenë që kjo është problematika më e gjerë. Duke vazhduar me njollat, pastaj me rrudhat e lëkurës, pastaj me poret e zmadhuara. Pra çdo problematikë është e trajtueshme nga retinoli. Ka variante të ndryshme të tij, forma të ndryshme kimike të tij që gjenden në produktet dermokozmetike dhe kozmetike, ka edhe forma të tjera që janë me përshkrim nga mjeku pasi janë formula shumë të forta e të fuqishme. Ka edhe retinol që përdoret në praktikën e profesionistëve, në studiot e dermatologëve apo të estetistëve.
Pra retinolin mund ta gjeni fare lehtë, por si përdoret ai?
Arba Gramo: Në rastin e akneve të fuqishme, merret me përshkrim nga mjeku pasi nevoja për vitaminë A është shumë e madhe. Është një nga trajtimet bazë të akneve retinoli në këto lloj formash. Në formën e retinolit në farmaci dhe përfshihet në formulimet e produkteve të përditshme të trajtimit të lëkurës, mund ta gjejmë në përqendrime 0.1%, 0.5%, 1% dhe këto janë të sigurta të përdoren në shtëpi./tvklan.al