Lukova dhe Ksamili janë pikat turistike ideale për këto pushime verore. Kështu shkruan revista italiane “Viaggi.nanopress.it” që thotë se Shqipëria është kthyer një nga destinacionet më të pëlqyera të kohëve të fundit. Edhe këtë verë , ajo do të jetë “mbretëresha” e pushimeve për italianët, dhe jo vetëm.

Arsyet për të vizituar Shqipërinë janë të ndryshme. Ky destinacion ndodhet shumë pranë Italisë, dhe mund të arrihet me traget me një kosto të përballueshme krahasuar me vendet më të njohura evropiane që për më tepër janë shumë më të shtrenjta.

Dy perlat e Shqipërisë, të quajtura “Maldive të Evropës”: Lukova dhe Ksamili, janë dy nga atraksionet kryesore të vendit.

Lukova është rreth e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika. Ndërsa, Ksamili është afër ishullit të Korfuzit dhe është i famshëm për ujërat smerald si e ishujt shkëmborë që ndodhen aty pranë të cilat mund të arrihen me varkë ose me not.

Gjatë muajve të verës, Saranda dhe Ksamili janë të tejmbushur me turistë, prandaj revista italiane i këshillon lexuesit të planifikojnë pushimet në muaj të tjerë ku ka më pak prezencë të turistëve.

Klan News