Një nga akuzat më të shumta që Kryeministrit i vijnë në komunikimin e vazhdueshëm në rrjetet sociale është se shifrat e turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar nuk janë të vërteta apo se turistët nuk kanë sjellë të ardhura. Për t’ju dhënë përgjigje, Rama kishte vendosur shifrat përpara.

“Në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, 26 %. Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në vitin 2024 vlerësohen 4.5 miliardë Euro”, thotë Rama.

Kryeministri siguron se turizimi është kthyer në industri në Shqipëri ndaj i kërkon shqiptarëve që jetojnë jashtë të vijnë dhe të punojnë në këtë industri, pasi do ju dal më mirë.

“Çfarë bëni në Greqi, hajdeni këtu se është më mirë këtu”, shprehet ndër të tjera Rama.

E duke folur për shqiptarët e diasporës ju bën thirrje të regjistrohen dhe i njeh dhe me vendimin e fundit të qeverisë për t’i lejuar ata që dëshirojnë të votojnë pavarësisht se dokumentat e tyre të identifikimit nuk kanë një afat të vlefshëm përdorimi.

“Janë votues në 11 Maj në qoftëse do të regjistrohen”, tha Rama.

A e ka vendosur Edi Rama se kur do të largohet nga pushteti ishte një tjetër pyetje që ju bë në rubrikën “Sy m’Sy”?

“Kjo pyetje tingëllon ndryshe, “A ke ndërmend ta lësh punën”. Këtë punë. Jo, nuk kam ndërmend ta lë për momentin përsa kohë ata që ma kanë dhënë do më kërkojnë që ta vazhdoj.”, theksoi ndër të tjera Rama.

Strategjinë e opozitës i sheh si lëvizje pa bosht ndërsa sulmoi sërisht liderin e saj.

‘’Zhabat dhe bretkosat e kënetës opozitare për fat të keq ku mbretëron një ‘’buf’’ stërplak që e mori në qafë tërësisht mendimin dhe opozitarizmin”, deklaroi Rama.

Por u bë shumë nostalgjik kur një nga ndjekësit i kujtoi Lulzim Bashën që Rama pranoi se i mungon.

“Se di tashti si do bëjmë ta kemi prapë Lul Bashën. E kemi pas ëmbëlsirën. O Lul ku je se sa herë më kujtojnë ty, kam një nostalgji, kam një përvëlim nuk e di”, thotë Kryeministri.

Tv Klan