Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se me rezolutën anti-korrupsion synon të asgjësojë SPAK-un.
Ky draft u dërgua në parlament sipas Ramës për shkak se 50% e detyrave për Shqipërinë të lëna nga Bashkimi Europian, pas procesit “Screening”, janë detyra që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Edi Rama: Në raste se do të imagjinohej një gjë e tillë ajo do të duhej të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës e para. E dyta si mundem unë të kem një synim të tillë ku faktikisht isha unë bashkë me PS që i dhamë jetë SPAK-ut dhe i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër ka problemet e veta.
Sipas kryeministrit këto janë spekulime pasi ndryshimet në drejtësi do duhet të kalojnë përmes ndryshimeve kushtetuese që kërkojnë më tepër vota se ka mazhoranca socialiste. Kreu i qeverisë tha se për çështje të tilla duhet konsensus i gjerë të lihen pas sherret e përditshme dhe diskutohet për reformat për integrimin në BE.
Edi Rama: Për çështje të caktuara kërkohet edhe një konsensus më i gjerë në sallën e Parlamentit, por edhe pse në fund të ditës të paktën me fjalë dhe bazuar në të gjitha partitë politike shqiptare nuk e diskutojnë fare që destinacioni është Bashkimi Europian, madje grindja lidhet me kush e çon më shpejt dot Shqipërinë në BE. Të krijohet një hapsirë, një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike që mund të vazhdojnë normalisht siç kanë vazhduar deri tani në hapsira të tjera dhe aty të flitet teknikisht dhe me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës së ditës.
Rama mohoi akuzat, se në Athinë ka pasur shumë shqiptarë, që janë dërguar me autobusë nga Shqipëria.
Edi Rama: E vetmja gjë që më vjen keq është e gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie po jo të vërtetën për arsye politike. Atë valle kuqezi doja të thoja në zemër të Athinës si një takim të bërë me autobusë të administratës dhe më vjen keq sepose fyen, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie me forcën që qeveris, por edhe njerëz që nuk na kanë votuar ndonjëherë, madje ishin të njohur si njerëz që i përkisnin palëve të tjera politike.
Rama tha se së shpejti do të mundësohet leja e qëndrimit të përhershëm për shqiptarët në Greqi që ende nuk e kanë patur atë. Për deklaratat e zv.kryeministrit serb Vulin për Shqipërinë e madhe Rama u shpreh.
Edi Rama: Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka dhe nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni mendoj që nuk meriton asnjë koment tjetër edhe deklarata e tij apo deklaratat e tij.
Rama ju ka prerë shpresat shteteve të tjera të BE-së që synojnë ashtu si Italia të ngrenë kampe rrefugjatësh në vendin tonë.
Ai premtoi se brenda vitit do të ngrihet kantieri për ndërtimin e urës lidhëse të Bunës ndërkohë që me palën malazeze do të ketë një operim të përbashkët të lundrimit në liqenin e Shkodrës.
Klan News