Grupi Parlamentar i PD është koordinuar për aksionin që do të zhvillohet të enjten në parlament, i cili do të jetë në dy fronte. Qëndresa e deputetëve brenda seancës dhe protesta e qytetarëve para parlamentit.

Për protestën e cila zhvillohet pas publikimit të investigimit të RAI 3, Bardhi tha se të gjithë deputetët dhe strukturat e PD do të jenë të angazhuara për protestën kundër qeverisë “Rama”.

“Ne si opozitë kemi bërë atë që bën çdo opozitë e përgjegjshme. Apeloj çdo qytetar që të marrë pjesë nesër në protestën e orës 10:00 përpara sallës së seancave plenare duke shprehur vendosmërinë tonë që nuk pajtohemi kurrë që qeveria e një vend anëtar të NATO-s të miratojë ligje, të fuqizojë grupet më të rrezikshme kriminale në vend.”

Teksa këmbëngul për zhvillimin e mocionit me debat për lidhjet e krimit me politikën, Bardhi pati dhe një paralajmërim për kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje kryetares së Kuvendit që të respektojë kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Kërkesa e grupit parlamentar për zhvillimin e mocionit me debat për një temë që shqetëson deputetët, është detyrimisht e pranueshme dhe e vetmja gjë që duhet të bënte, të kishte mbledhur Konferencën e Kryetarëve me këtë rend dite për të përcaktuar kohën e debatit.“

Pati dhe një përgjije për kryeministrin Rama, i cili tha se investgimi i RAI 3 cenoi imazhiun e Shqipërisë. Grupi Parlamentar i PD, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për të mos qenë pjesë e komisionit antikorrupsion të miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Qëndresa e deputetëve demokratë, vjen pas disa muajsh nga marrëveshja me PS, e cila ndërpreu aksionin e tyre në Parlament.

Klan News