Sezoni i ri parlamentar ka rikthyer një debat të mbartur nga legjislatura e shkuar, atë për ligjin për importin dhe përpunimin e mbetjeve.
Kreu i grupit kuvendor të PS u bë iniciatori i këtij debati pasi lajmëroi se do të nisë një debat publik për këtë çështje.
Por ky propozim sipas Petrit Vasilit është absurd dhe në shkelje të rëndë ligjore sa kohë që ligji në fjalë ka marr votat e parlamentit plot një vit më parë në 23 shtatorin e 2016, por që u rrëzua me dekret nga ish-presidenti Nishani, dekret qe ende nuk ka kaluar në komisionin e veprimtarive prodhuese për t’u shqyrtuar.
Mosmarrjen në shqyrtim nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese i dekretit të Presidentit, sipas Vasilit fsheh arsye politike.
Një tjetër këndvështrim brenda LSI për debatin ka ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, aktualisht deputet i LSI gjatë diskutimeve që lindën jashtë rendit të ditës në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
Kryetari i këtij komisioni, iniciatori i ligjit të mbetjeve, socialisti Eduard Shalsi rikonfirmon qëndrimin e Ballës për tërheqjen e këtij projektligji edhe pse nuk i njeh ende procedurat që do të ndiqen, ndërsa përkrah dhe idenë e një referendumi propozuar një vit më parë nga demokratët edhe ripropozuar një ditë më parë dhe nga LSI.
Demokrati Florion Mima kërkon nga Shalsi të shqyrtohet në komision dekreti i presidentit që rrëzon ligjin në fjalë dhe vetëm pas kësaj mund të fillojë diskutimi për një projektligj të ri.
Në tetorin e vitit të kaluar Presidenti i atëhershëm i Republikës Bujar Nishani e ktheu ligjin për rishqyrtim në parlament. Përpara se parlamenti të shprehet pro ose kundër dekretit ai duhet të shqyrtohet nga komisioni përgjegjës, por kur po bëhet gati një vit nga dalja e dekretit, ky komision nuk e ka marrë ende në shyrtim dhe të dalë me një raport që duhet të marrë votat e deputetëve në seancë.
Tv Klan