Rikthehet në jetë Katedralja Notre-Dame de Paris ose siç quhet nga vetë francezët “Zonja Jonë e Parisit”. Kryevepra e Francës është restauruar pas zjarrit shkatërrues të vitit 2019.
“Është mjaft e çuditshme ajo çfarë ndodh. Edhe për ne që jemi shumë shpesh në katedrale, ajo nuk vjetërohet, por bëhet më e bukur çdo ditë”, tha Philippe Jost, i cili drejton një grup punonjësish që u angazhuan për rindërtimin e Notre-Dame.
Kostoja e zjarrit, shkaku, i të cilit ende mbetet mister nuk ka qenë vetëm financiar. Natën e zjarrit, kur tymi kishte pushtuar Parisin, presidenti Emmanuel Macron bëri një premtim.
“Ne do të rindërtojmë Notre-Dame. Sepse këtë presin francezët dhe sepse kjo është ajo që meriton historia jonë”, tha ai jashtë rrënojave të katedrales.
Që pas premtimit të dhënë në vitin 2019, Macron u rikthye sërish pranë katedrales katolike. Për presidentin francez Emmanuel Macron puna e më shumë se 1000 punonjësve që ndihmuan në rindërtimin e kryeveprës gotike është projekti i shekullit.
“Mos harroni se ishit ju që restauruat, por edhe ridimensionuat këtë vend që ju e doni. Mos harroni se gjatë këtyre pesë viteve të jetës suaj ndatë së bashku, pa dyshim, projektin më të bukur të shekullit. Unë ju jam mirënjohës ju dhe familjeve tuaja, sepse jam i vetëdijshëm për sakrificat për të cilat ata ranë dakord, në mënyrë që ju ta përmbushnit premtimin për të rindërtuar Notre-Dame brenda pesë viteve. Kjo është një krenari e jashtëzakonshme për të gjithë kombin”, tha Macron.
Në vizitën e tij në Katedrale, Macron u impresionua nga realizimi që ishte arritur.
Në mijëra ditë punë përpara vizitës së Macron, vendi gumëzhinte nga ekipe që pastronin mozaikët e mermerit, restauronin afreskët dhe ngjiteshin mbi skela që kishin mbushur monumentin. Sot, baza tetëkëndore e majës së çatisë është pothuajse identike me atë të projektuar në shekullin e 19-të nga arkitekti Eugène Emmanuel Viollet-le-Duc.
E parë nga shumë njerëz si një simbol i forcës dhe përkushtimit ndaj përpjekjeve të rindërtimit, maja prej druri më në fund u ndërtua në fillim të vitit të kaluar.
Tetë kambanat e restauruara të katedrales, e cila u shkatërrua pjesërisht nga zjarri, ranë në fillim të Nëntorit si pjesë e një testi teknik.
Kjo shënoi një moment historik. Shumica e trarëve origjinalë të katedrales datojnë para vitit 1226, me më të vjetrën nga një pemë e prerë në 1156. Edhe gjatë përpjekjeve të rindërtimit u përdorën pemë të vjetra. Tre nga lisat ishin 230-vjeçare, sipas Zyrës Kombëtare të Pyjeve të Francës.
Restauruesit, në bashkëpunim me kompani më të mëdha, ishin në gjendje të riaplikonin praktikat e vjetra të ndërtimit në vend të teknikave moderne të ndërtimit. Për të parë Katedralen e rindërtuar nuk janë të interesuar vetëm turistët por edhe kori.
La Maîtrise Notre Dame de Paris, kori zyrtar i Katedrales Notre-Dame, e përjetuan shumë rëndë zjarrin shkatërrues të 15 Prillit 2019, që shembi majën dhe një pjesë të çatisë së Notre-Dame, duke shkaktuar dëme të mëdha në pjesën e brendshme të saj.
Për tetë ditë, muzikantët e famshëm të Parisit do të mobilizohen për një axhendë të mbushur me ceremoni, duke përfshirë një koncert special në 17 dhe 18 Dhjetor, me këngën Magnificat të Johann Sebastian Bach.
Kori e kishte humbur pjesërisht ndikimin e tij që nga Revolucioni Francez, por sot Maîtrise është rikthyer në një nivel ekselence dhe është një nga qendrat kryesore të trajnimit vokal të Francës. Ai bashkon 150 studentë ku më i riu është vetëm 5 vjeç të ndarë në katër kore.
“Ka më shumë se pesë vite e gjysmë që nuk kemi performuar. Kështu që sigurisht, presim me padurim rikthimin tonë në katedrale”, tha sinkron Henri Chalet, drejtor i korit.
Henri Chalet, drejtor i korit që nga viti 2014, po kujdeset për detajet e fundit të një programi jashtëzakonisht të pasur për vitin 2025, të cilin ai e përshkruan si “historik”, me muzikantë dhe solistë të njohur ndërkombëtarë.
“Pas ndodhisë ne u ndjemë pak të humbur, sepse kori është po aq i vjetër sa katedralja. 850 vite nuk janë asgjë për katedralen, por për njerëzit, është një kohë shumë e gjatë. Kështu që nuk ishte aspak e lehtë në fillim. Tani, ne jemi shumë krenarë për atë që arritëm në pesë vjet. Por ajo çfarë është e rëndësishme ështeë se kemi shumë dëshirë për të kënduar”, tha Chalet.
Cecilia de Vargas, një këngëtare 26-vjeçare, tha se është e emocionuar që mund të këndojë brenda Notre-Dame për herë të parë.
“Kam miq që më thonë: “Ti je shumë me fat, Cecilia, mund të këndosh në katedralen Notre-Dame, sepse edhe ne do të donim të ishim atje. Është kaq e madhe dhe e bukur, saqë tashmë kemi bërë foto, kam frikë se do humbas ndjenjat kur të futem, sepse do të jetë shumë emocionuese”, tha ajo.
Ajo është e emocionuar për unitetin që treguan francezët gjatë momentit të tragjedisë.
“Më duket shumë prekëse dhe mendoj se pavarësisht nga gjëja e tmerrshme që ndodhi, ka një anë pozitive. Kjo duke pare sesi të gjithë njerëzit, francezët kërkuan të rindërtonin katedralen sa me shpejt te ishte e mundur”, u shpreh ajo.
Kjo katedrale e famshme katolike është e njohur për arkitekturën e saj mahnitëse gotike franceze dhe mban një vend të veçantë në zemrat e parizienëve dhe të njerëzve nga e gjithë bota.
Notr-Dame de Paris ka qenë dëshmitare e ngjarjeve të panumërta historike, luftërave dhe revolucioneve.
Katedralja e Notre-Dame de Paris strehon gjithashtu objekte të shumta të rëndësishme fetare dhe historike, të tilla si Kurora e gjembave, që besohet se është veshur nga Jezu Krishti gjatë kryqëzimit të tij.
Çdo vit, miliona turistë nga e gjithë bota dynden drejt kësaj mrekullie arkitekturore.
Klan News