Përpos madhështisë që kishte organizimi i hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, pas shumë spekulimeve për pjesmarrjen e saj këngëtarja me famë botërore Celine Dion bëri një rikthim emocional në skenë.
Performanca e pritur me padurim e Dion ishte qershia mbi tortë një performancë e cila emocionoi jo vetëm të pranishmit por edhe miliona njerëz në mbarë botën.
Ndërsa pishtari u ndez, Dion, e veshur me një fustan vezullues, të zbukuruar me rruaza, performoi në bazën e Kullës Eifel, duke dhënë një interpretim të fuqishëm të “Hymne A L’Amour” të Edith Piaf për të nderuar viktimat e sulmit tragjik terrorist në Bataclan. Moti i keq nuk mund ta ngadalësonte performancën, e cila shfaqi yllin botëror pranë një pianoje.
Sekreti i rikthimit të saj u mbajt i fshehtë deri në mbërritjen e saj në Paris, ku ajo u pa duke hyrë dhe dalë nga hoteli i saj, Royal Monceau, duke tërhequr një numër të madh fansash. Ndërsa ajo nënshkroi autografe dhe pozoi për foto, duke përfshirë një me zonjën e parë të Francës Brigitte Macron, Dion nuk konfirmoi se do të performonte në Ceremoninë e Hapjes.
Sipas gazetës Le Figaro, organizatorët e Olimpiadës kanë detyruar artistët e përfshirë të nënshkruajnë një marrëveshje konfidencialiteti, shkelja e së cilës mund të kushtojë deri në 250,000 euro. Dion ka performuar më parë në Lojërat Olimpike në 1996 në Atlanta duke kënduar “The Power of the Dream”, një ceremony e cila u ndoq nga 3.5 miliardë njerëz.
Për sëmundjen e saj, Dion e bëri të ditur rreth një vit më parë pasi ajo anuloi befas turneun botëror Courage 2023 dhe 2024. Dokumentari i Irene Taylor për këngëtaren “My Heart Will Go On”, i titulluar “I Am: Celine Dion”, u shfaq premierë në Prime Video më 25 qershor ku tregon qartë vështirësitë me sëmundjen e saj e quajtur “Sindroma e Personit të Ngurtë”.
Ndërkaq edhe Lady Gaga performoi gjithashtu në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike 2024 në Paris në një performancë spektakolare të frymëzuar nga kabareja me një trupë prej 8 kërcimtarësh. Ylli i popit këndoi në frëngjisht këngën “Mon truc en plumes” të këngëtares dhe aktores legjendare franceze Zizi Jeanmaire.
Këngëtarja shprehu ndër të tjera mirënjohjen duke thënë se pjesëmarrja në eventin më të madh sportiv ishte si një dhuratë për të. Fishekzjarrët blu, të bardhë dhe të kuq u hodhën mbi urën Austerlitz përpara 6,800 atletëve nga 205 delegacione që udhëtonin me 85 varka përballë disa prej monumenteve më të famshme të kryeqytetit francez.
Klan News