Federico Dimarco është kthyer në një titullar të padiskutueshëm dhe lojtar kyç për Interin në sezonet e fundit.

Për lojtarin nuk ka qenë e lehtë për të fituar vendin e tij, duke parë edhe vështirësitë që ka hasur rrugës.

Në një rrëfim për “BSMT”, Dimarco ka zbuluar momentin më të vështirë në karrierë, duke përmendur dëmtimin te Sion dhe humbjen e fëmijës. Ai tha se bashkëshortja e ka ndihmuar shumë për ta kaluar atë moment.

“Momenti më i vështirë në karrierë? Kur u lëndova te Sion dhe më pas humba djalin. Ishin pesë muaj shumë të vështirë. Falë ndihmës së bashkëshortes ia dola. Ajo gjithmonë përpiqej të më gëzonte. Thoshte fjalë të rëndësishme për të më ndihmuar. E kalova falë saj.”

I pyetur për modelet e frymëzimit, Dimarco nuk ngurroi të zbulojë se ndjek me admirim rivalin e tij të Milani, Theo Hernandez.

“Model frymëzimi? E di që shumë njerëz do më ofendojnë për këtë, por unë respektoj shumë Theo Hernandez-in. Ka dhe lojtarë të tjerë. Çdo lojtar është ndryshe. Unë gjithmonë përpiqem të vjedh diçka dhe ta bëj timen. Kur isha i vogël shikoja shumë video dhe u bëra ky që jam sot. Kam marrëdhënie të shkëlqyer me Materazzi-n, sepse kemi të përbashkët pasionin për Interin.”, deklaroi Dimarco.  

/tvklan.al