Theo Hernandez dhe Milani është një histori e cila i përket së kaluarës. Kartoni i kuq i marrë në takimin e kthimit në Play Off , që i kushtoi “Djallit” eliminimin nga Liga e Kampioneve, e ka përcaktuar të ardhmen e francezit.
Prej muajsh mes palëve nuk ka pasur negociata për rinovim, ndërsa përjashtimi nga loja i mbrojtësit do t’i kushtojë 27-vjeçarit një gjobë të majme.
Sipas Sportmediaset, në Qershor futbollisti do të përfundojë në merkato. Kontrata atij i mbaron në 2026, por asnjë prej drejtuesve nuk ka dëshirë që ta ketë atë sërish në ekip.
Pas largimit të Stefano Piolit nga stoli, Theo Hernandez nuk ka qenë më i njëjti.
Dhe Milani, që ka nevojë për të shtuar financat, tani pret ofertën e duhur. Nëse më parë për të është ofruar 50 milionë Euro, vështirë që Milani të përfitojë mbi 45 milionë Euro.
Theo Hernandez nuk është ai i mëparshmi.
Përgjatë këtij sezoni ka kryer vazhdimisht gabime teknike dhe me Fonsekën marrëdhëniet nuk i kishte aspak të mira. E duket se edhe me Konceiçaon, lojtari nuk i ka punët mirë.
Ai karton i kuq i marrë ndaj Fejnordit, duket se e ka përjashtuar atë edhe nga e ardhmja me kuqezinjtë.
Klan News