Një helikopter që transportonte presidentin iranian është përfshirë në një aksident këtë të diel. Media shtetërore thotë se presidenti Ebrahim Raisi ishte në bordin e një helikopteri që u përball ‘me ulje të vështirë’. Bashkë me të ndodhej edhe ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian.
Sipas asaj që shkruan BBC, ministri i Brendshëm tha se ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë përpjekjet për të shkuar në vendin e ngjarjes. Kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Gjendja e personave në helikopter nuk dihet deri më tani dhe sipas të dhënave nuk është bërë ende e mundur vendosja e kontaktit.
🚨🇮🇷 DRONE EFFORTS HALTED DUE TO MASSIVE FOG IN SEARCH FOR IRANIAN PRESIDENT'S HELICOPTER
— Mario Nawfal (@MarioNawfal) May 19, 2024
It has been more than 2 hours since the helicopter carrying Iran's President Ebrahim Raisi reportedly made a "hard landing" due to fog around the village of Uzi in the forests of Arsbaran.… https://t.co/OGfIETNYu9 pic.twitter.com/vYdU4Ms9Na
Gjithnjë sipas mediave lokale, Presidenti Raisi ishte nisur për në qytetin e Tabriz, në veriperëndim të Iranit, pas kthimit nga kufiri me Azerbajxhanin ku kishte inauguruar digën e Qiz Qalasi dhe Khodaafarin.
Mjegulla e dendur e ka bërë të vështirë punën e ekipeve të kërkim shpëtimit, në vendin ku besohet se ra helikopteri. Sipas autoriteteve vendase, në zonën malore dhe pyjore ku po kërkohet mund të shihet vetëm deri në 5 metra largësi.
Kryeministri iranian Ahmad Alirezabeigi tha se ekipet e kërkim shpëtimit nuk e kanë lokalizuar ende helikopterin. Sa i takon dy helikopterëve të tjerë që udhëtonin bashkë me presidentin, ato mësohet se janë ulur pa probleme.
Në pamjet e publikuara në median shtetërore iraniane, njerëzit shfaqen duke u lutur për shëndetin e presidentit në qytetin e shenjtë të Mashhad.
Ebrahim Raisi, 63 vjeç, u zgjodh president në vitin 2021. Ai shihet si klerik i lartë dhe konsiderohet si pasues potencial i Ayatollah Khamenei, Lideri Suprem i këtij shteti që prej vitit 1989.
Në vitin 2019, Lideri Suprem e emëroi Raisin në krye të sistemit gjyqësor. 63-vjeçari u zgjodh po ashtu nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve, që përbëhet nga 88 anëtarë dhe është përgjegjëse për zgjedhjen e Liderit Suprem./tvklan.al