Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua helikopteri në veriperëndim të Iranit.
Helikopteri ra në një terren malor pranë kufirit me Azerbajxhanin, i cili u gjet plotësisht i djegur dhe asnjë prej pasagjerëve nuk ka mbijetuar. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet bishti i helikopterit pranë një toke të djegur ku u rrëzua helikopteri në provincën e Azerbajxhanit Lindor.
Ekipet e shpëtimit gjetën helikopterin pas disa orëve kërkim mes kushteve të vështira të motit. Shkaku i rrëzimit ende mbetet i paqartë, por mjegulla dhe temperaturat e ulëta sipas hetimeve të deritanishme kanë kontribuar në rrëzimin e avionit të presidentit iranian.
BE-ja, me kërkesë të Teheranit, aktivizoi sistemin satelitor Copernicus. Vende të tjera, si Arabia Saudite, Rusia dhe Turqia, ofruan gjithashtu ndihmë duke dërguar në terren ekipe të kërkim shpëtimit. Disa anëtarë të qeverisë iraniane u zhvendosën në Tabriz, qyteti ku duhej të mbërrinte Raisi, për të ndjekur më nga afër situatën.
Vdekja e Raisit u konfirmua në një deklaratë në mediat sociale nga nënpresidenti Mohsen Mansouri dhe në televizionin shtetëror. Presidenti i Iranit po kthehej nga një vizitë në Azerbajxhan ku kishte vizituar kufirin Iran-Azerbajxhan, ku mori pjesë në hapjen e digave Qiz Qalasi dhe Khodaafarin me homologun e tij azer Ilham Aliyev.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raporton se Raisi po fluturonte me një helikopter Bell 212 të prodhuar në SHBA. Televizioni shtetëror Iranian para se të ndodhte aksidenti publikoi pamjet që tregojnë Ebrahim Raisi, së bashku me guvernatorin e krahinës kufitare me Azerbajxhanin, gjenerali Mehdi Mousavi, një anëtar i bazës Ansar al-Mahdi të Gardës Revolucionare, piloti, bashkë-piloti dhe inxhinieri i fluturimit, guvernatorin e provincës së Azerbajxhanit Lindor, Malek Rahmati dhe imami Mohammadali Al-Hashem si dhe disa zyrtarë e truproja si dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.
Aksidenti vjen në një kohë të mosmarrëveshjeve në rritje brenda Iranit mbi një sërë krizash politike, sociale dhe ekonomike. Sundimtarët klerikë të Iranit përballen me presion ndërkombëtar mbi programin e diskutueshëm bërthamor të Teheranit dhe thellimin e lidhjeve të tij ushtarake me Rusinë gjatë luftës në Ukrainë.
Që kur aleati i Iranit, Hamasi, sulmoi Izraelin më 7 tetor, tensionet u rritën gjithashtu mes qeverisë izraelite dhe grupeve të lidhura me Iranin. Për vite me radhë shumë e kanë parë Raisin si një pretendent të fortë për të pasuar Khamenei, i cili ka mbështetur politikat kryesore të Raisit.
Klan News