Përfshirja e të miturve në krime të rënda përgjatë viteve ka shënuar rritje në Shqipëri. Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan, në Institutin e të Miturve Kavajë në këtë vit ka pasur gjithsej 59 minorenë të dënuar me heqje lire, ndërsa aktualisht po vuajnë dënimin 30.
Pjesa më e madhe e tyre janë arrestuar për vrasje në bashkëpunim si dhe vjedhje.
“Të miturit që po vuajnë dënimin janë kryesisht të moshës 16 dhe 17 vjeç, duke përbërë grupin më të madh brenda institucionit të rehabilitit.”
Modelet e gabuara, problemet sociale si dhe mungesa e shërbimeve mbështetëse për të rinjtë e përfshirë në konflikt me ligjin sipas ekspertëve bëjnë që të rinjtë sot të shkojnë drejt rrugëve të paligjshme.
Arjana Muçaj, psikologe: Sot mbizotërojnë modelet e e të fortëve, modelet e kriminelëve që bëjnë një jetë të pasur, një jetë që pëlqehet nga të rinjtë, duke qenë se është mënyrë e shpejtë të ardhurash.
Altin Hazizaj, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri: Shpesh të rinjtë që janë me shumë pak mundësi, preferojnë të bëjnë një krim, e gjen atë mjedis shumë më të sigurt.
Ka nevojë për sisteme parandalimi dhe rehabilitimi për të rinjtë që shfaqin elemente problematike në sjellje.
Altin Hazizaj, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri: Ne kemi nevojë të ndërtojmë atë që quhet sistemi i ndërhyrjes së hershme, pra që në kopësht një fëmijë që ka sjellje antisociale apo problematike, ne sot nuk i trajtojmë këto raste, ne presim që fëmija të bëhet 14 vjeç të bëjë një vrasje, të kemi një pasojë dhe pastaj merremi me rastin, kjo është e patolerueshme.
Përgjatë vitit 2023, 891 të mitur janë proceduar penalisht, 8.6% me shumë sesa në 2022. Shoqata të shumta dhe politika, bazuar në disa raporte ndërkombëtare, mendojnë se një rol negativ tek të rinjtë po luajnë rrjetet sociale, në veçanti TikTok, për të cilin në disa vende janë marrë masa shtrënguese. Edhe Shqipëria po shqyrton mundësinë e vendosjes së disa filtrave apo mbylljes së këtij rrjeti.
Tv Klan