Presioni po rritet mbi kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, për të lejuar dikë tjetër të udhëheqë Social-Demokratët e tij në zgjedhjet e parakohshme të ardhshme.
Udhëheqja e SPD-së deri më tani mbështet vetëm Scholz për të kandiduar për një mandat të dytë si kancelar në zgjedhjet kombëtare, të cilat pritet të mbahen në shkurt 2025 pasi koalicioni i tij trepalësh u shpërbë më 6 nëntor.
Por nga Rio de Zhaneiro ku u mbajt samiti i G20, Scholz duket se konfirmoi se dëshiron të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme të ardhshme.
“Ajo që është e qartë për SPD dhe për mua gjithashtu është se ne po shkojmë në këto zgjedhje për të dalë prej tyre me sukses. Ne duam të jemi të suksesshëm së bashku. Unë e kam thënë tashmë se ne duam të fitojmë dhe kjo është deklarata që po e theksoj edhe një herë këtu. Së bashku, unë dhe SPD.”
Shumë e shohin Scholz-in me skepticizëm për një tjerër mandat dhe do të preferonin misitrin e mbrojtjes Boris Pistorius si kandidat për kancelar. Pistorius rezulton si politikani më popullor i Gjermanisë, para Friedrich Merz-it të konservatorëve, duke u dhënë disa mbështetësve të Social-Demokratëve shpresën se ai mund të tërheqë ende mbështetjen për partinë e tyre.
Partia Social-Demokrate aktualisht është në vendin e tretë me rreth 16%, pas konservatorëve kryesorë të opozitës dhe Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë.
Klan News