E ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, deputetja e PD, Jorida Tabaku, i dha një vëmendje të veçantë rritjes së çmimeve. Tabaku tha se më shumë se 40% e të ardhurave të familjeve shqiptare shkojnë vetëm për shportën e konsumit, teksa shtoi më tej se në vendin tonë rritja e çmimeve ka kapur vlerën e 55%.

Jorida Tabaku: Kur dëgjon buxhetin që flet me disa shifra të jashtëzakonshme me miliona e miliarda euro është shumë larg konceptit të qytetarëve. Koncepti i qytetarëve është tek xhepi dhe si organizohen apo shpenzohen të ardhurat personale. Është e vërtetë që shifra është 40%, madje është edhe më shumë në varësi të familjes dhe në varësi të të ardhurave, por ka dy elemente që duhet të kesh parasysh: e para ne nuk kemi një minimum jetik. Ka llogaritur Avokati i Popullit një minimum jetik që duhet të jetë 20 mijë lekë të reja për një person në muaj, një familje me 4 persona duhet ta ketë atë 80 mijë lekë të reja. Rritja e çmimeve ka shkuar në total në 55%, vjen si rezultat i faktorëve të jashtëm. Rritja e çmimeve ka qenë më e larta jo vetëm në rajon, por në të gjitha vendet e Europës. Dhe për këtë ka dy faktorë. Rezultati i faktit që sot në Shqipëri nuk prodhohet një pjesë e këtyre ushqimeve, të gjitha vijnë nga jashtë. Duhet të kishte ndihmuar fakti si është vlerësuar euro, por nuk ka ndihmuar. Dhe e dyta vjen si rezultat që pjesa më e madhe e tyre janë monopol, që ti, unë dhe kushdo detyrohemi të shkojmë tek i njëjti vend për t’i blerë sepse biznesi i vogël, ai familjar, për fat të keq është shuar.

Duke qëndruar tek e njëjta temë diskutimi, Jorida Tabaku tha se vendi ynë ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, duke sqaruar se 60% të këtij çmimi zënë taksat.

Jorida Tabaku: Përveç faktit që sot është i kapur tregu dhe i gjithë zinxhiri është i shpërndarë që t’u të imponon që të kesh çmimet 2 ose 3-fish më të larta se vendet e rajonit është dhe struktura e taksave. Për karburantin ne kemi taksën më të lartë. Tek karburantet 60% janë taksa, nuk e ka asnjë vend tjetër. Tani mendon se kemi nevojë për një sistem më të thjeshtë. /tvklan.al