Rrëfehet Arta Bajrami/ Muzika, jeta si mami dhe planet për koncertin në Prishtinë

Rrëfeu se dy fëmijët janë diagnostikuar me autizëm, këshilla e Arta Bajramit për prindërit

Disa ditë më parë, Arta Bajrami rrëfeu në emisionin “Oxygen” në Kosovë se dy fëmijët e saj të vegjël, Ideali dhe Electra janë të diagnostikuar me spektrin e autizmit.

Si një figurë publike që ndodhet në të njëjtën situatë si shumë prindër të tjerë, Arta e ka ndier vështirësinë e fëmijëve por është përpjekur të bëjë më të mirën për ta. Në programin “Rudina” në Tv Klan ajo tregon se dy vogëlushët nuk janë në shkallët e rënduara të spektrit por me shumë punë e terapi, po arrijnë të përparojnë. Të njëjtën gjë ajo e këshillon edhe për prindërit.

Arta Bajrami: Është spektër shumë i gjerë, preken disa fëmijë më pak, janë me shkallë. Fatmirësisht, e kam thënë edhe në emision që fëmijët e mi nuk janë të prekur rëndë, domethënë kuptojnë, dëgjojnë, vishen, mbathen, janë të pavarur vetëm nuk janë ende verbalë, kanë pak vështirësi në komunikim. Unë jam duke punuar me ta në trajnime të ndryshme qëkur kanë qenë të vegjël sepse vajzën e madhe, Viktorian, duke u bazuar te ajo, unë e kam ndjekur dhe kam parë që këta diçka, djali sidomos, ka pasur pak ngecje dhe jam marrë me ta intensivisht, nëpër trajnime të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, ku kam mundur bashkë me bashkëshortin. Shyqyr Zotit mirë janë, po përparojnë. Unë veç mundem t’ju them që u duhet të gjithëve, çdo prind që i ka fëmijët e diagnostikuar, pavarësisht çfarë shkalle duhet të punohet shumë me ta sepse vetëm ajo është për momentin pasi autizmi nuk është sëmundje, është çregullim neurobiologjik, nuk e dimë nga shkaktohet.

Deklarata e Arta Bajramit në “Oxygen”:

“Dua të tregoj një të vërtetë, është mirë ta dijë edhe publiku. Dua të tregoj një të vërtetë, sepse po e kam një fare ngushtimi kështu që po ballafaqohem në përditshmëri. Ideali dhe Elektra janë diagnostikuar me spektrin e autizmit. Janë diagnostikuar pak më vonë, pasi fillimisht doktorët nuk kanë dhënë diagnozë të saktë. Unë nuk jam dorëzuar kurrë, ju kemi qënduar mbrapa bashkë me bashkëshortin. Vonë janë diagnostikuar. Për momentin jam duke i trajtuar në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë, të cilët po e bëjnë një punë shumë të mirë. Tani Zoti m’i ka çuar këta dy yje, këta engjëj që japin dashuri pa kushte. Kuptojnë krejt, vetëm të flasin nuk munden ende. Janë të pavarur në gjërat që bëjnë”.

“Fillimisht mjekët nuk dhanë diagnozë të saktë”/Arta Bajrami rrëfen për dy fëmijët me spektrin e autizmit

Disa ditë më parë, Arta Bajrami ndau me publikun një rrëfim shumë personal për familjen e saj pasi dy fëmijët e vegjël i përkasin spektrit të autizmit.

Ideali dhe Elektra janë diagnostikuar me spektrin e autizmit. Janë diagnostikuar pak më vonë, pasi fillimisht doktorët nuk kanë dhënë diagnozë të saktë”, tha këngëtarja në emisionin “Oxygen” në Kosovë.

Mjekët e përcaktojnë diagnostikimin e shpejtë si një element thelbësor që ndihmon në përparimin e shpejtë të fëmijës. Në intervistën me “Rudina” në Tv Klan, Arta shpjegon më hollësisht pse ka ndodhur më vonë diagnostikimi i të vegjëlve si dhe rrëfen me krenari për ta.

Arta Bajrami: Unë i kam trajtuar te një psikolog shumë i njohur në Prishtinë, ai ka klinikë private por është shumë i zoti dhe ai nuk donte të nxitohej për të dhënë diagnozë sepse tha disa simptoma i kanë, por disa jo kështu që ne duhet të punojmë.

Rudina Magjistari: Sa diferencë kanë me njëri-tjetrin?

Arta Bajrami: Kanë 16 muaj, as një vit e gjysmë nuk janë ndërmjet. Mjeku më ka thënë unë mund të jap një diagnozë, por mund të jetë e nxituar sepse mund të zhvillohet shumë shpejt fëmija dhe të ma rrëzojë atë diagnozë kështu që diagnoza është e fundit, të shohim zhvillimin si po shkojnë fëmijët dhe prandaj i kemi parë, i kemi ndjekur dhe tani vonë, te një doktoreshë tjetër, ajo më ka dhënë një diagnozë, më ka thënë janë, por janë me një shkallë më të lehtë, me punë, me vite, kanë për të pasur sukses, duhet punuar. Janë shumë të dashur, unë kënaqem me ta dhe besoj që edhe në shkollë kam për t’u ndenjur prapa, me asistente, besoj që të gjithë prindërit me mundësitë që kanë por shteti duhet t’i ndihmojë sepse me të vërtetë më dhimbsen shumë.

Me një videomesazh surprizues, vajza i zbulon lajmin Arta Bajramit

Viktoria, vajza e madhe e Arta Bajramit e surprizoi këngëtaren përmes një videomesazhi në programin “Rudina” në Tv Klan. Por veç fjalëve të bukura për nënën e saj, ajo zbuloi edhe një lajm fantastik. Për këdo që i kanë munguar këngët e dikurshme të Arta Bajramit, hitet e panumërta që na bënin të kërcenim apo baladat e ndjera, po planifikohet një koncert recital që do të mbledhë fansat.

Viktoria: Je një nënë dhe një grua shumë e fortë dhe që të dua shumë. Po ashtu desha t’ju paralajmëroj që mami im ka treguar në një ndër intervistat e saj që do të realizojë një koncert recital në Prishtinë dhe desha t’ju bëj ftesë të gjithë shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, po ashtu edhe anembanë botës.

Arta Bajrami: Viktoria prej kohësh ma kërkon këtë koncert recital, “mami, ti ke shumë hite, ke shumë albume, pse s’po e realizon, kohën e ke, momentin e ke, thashë të gjitha me kohë”. E vërtetë është, kam qejf të realizoj një koncert timin, me band, muzikë live, të gjitha këngët e mia live. Ende nuk e kam caktuar datën, jam në përgatitje. Kam dëshirë ta realizoj në Prishtinë, por edhe në Tiranë me shumë kënaqësi, por edhe në Shkup por të shohim si janë mundësitë dhe kur të jetë gati do t’i lajmëroj të gjithë fansat e mi.

/tvklan.al

“Nëse ty”- Arta Bajrami ndez studion me hitin e saj

“Torta e zezë”, në pritje të Klubit të Librit me Rudinën