Rusia ka akuzuar SHBA-në për pasojat që shkaktoi sulmi me raketa i Ukrainës ditën e dielën në Krime. I cili sipas zyrtarëve u ka marrë jetën të paktën 5 personave, përfshirë edhe dy fëmijë.
Më shumë se 150 persona mbetën të plagosur pasi mbetjet e raketave ranë në një plazh aty pranë.
Videot e qarkulluara në rrjete sociale dhe të transmetuara në kanalet televizive ruse tregojnë pamjet e kaosit në plazhe.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se raketat e përdorura nga Ukraina ishin raketa ATACMS, të projektuara dhe të prodhuara nga SHBA.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Perskov e quajti sulmin barbar dhe akuzoi SHBA-në për vrasjen fëmijëve rus.
Ndërkaq zyrtarë të lartë të Rusisë dhe vetë presidenti i saj Vladimir Putin kanë paralajmëruar se do të shënjestrojë të gjitha shtetet të cilat furnizojnë me armë Ukrainën. Duke pretenduar se ato janë objektiva legjitime ushtarake.
“Ne e dimë shumë mirë se kush qëndron pas gjithë kësaj. Javën e kaluar Putin foli se kush i lëshon dhe i drejton këto raketa që janë shumë komplekse në teknologji. Kush i siguron këto lëshime? Këta nuk janë Ukrainas,” tha gjatë një deklarate zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Deklaratat e tyre nënkuptojnë se për sulmet e Ukrainës rusët akuzojnë SHBA-në pasi sipas tyre raketat nuk mund të programohen nga ushtarë të Ukrainës, por nga specialistë amerikanë.
/tvklan.al