Trupat ukrainase në vijën e parë të frontit thonë se janë të vendosur të luftojnë, pas tre vitesh sakrificash të hidhura dhe humbjes së dhjetëra mijëra bashkëluftëtarëve.

“Ne arritëm në pikën që s’ka kthim, kemi sakrifikuar kaq shumë. Me ose pa ndihmë, ne do të qëndrojmë të vendosur”, tha ky ushtar në rajonin Dnipropetrovsk.

Më pak vendosmëri në rrafshin politik. I dërguari i SHBA për luftën në Ukrainë tha se bisedimet me Presidentin Zelensky ishin ‘të gjera dhe pozitive’. Të premten, Keith Kellogg, pati një ton krejtësisht të ndryshëm, duke e quajtur presidentin ukrainas “udhëheqës luftëtar i guximshëm i një kombi në luftë”. Edhe Zelensky tha se takimi i tij me gjeneralin në pension “rikthen shpresën”.

Sipas mediave amerikane është arritur njëfarë progresi mbi marrëveshjen, por në formatin e tanishëm Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë. Refuzimi i tij lidhet me dy pika. Ai dëshiron një marrëveshje që të përfshijë një garanci specifike sigurie nga SHBA-ja.

Deri më tani, thotë ai, propozimet e SHBA-së nuk e kanë dhënë këtë. Gjithashtu SHBA-ja kërkon 500 miliardë Dollarë për ndihmën e deritanishme.

Vetë Donald Trump ishte më i ashpër. Në një intervistë në Fox Radio, ai tha se Zelensky nuk është shumë i rëndësishëm në takime në këtë fazë.

Trump është kritikuar se ka lënë Europën dhe Ukrainën jashtë bisedimeve me Moskën. Disa udhëheqës perëndimorë e kanë paralajmëruar Trumpin se Vladimir Putini nuk ka “oreks” për paqe, por Trump tha në të njëjtën intervistë se ai beson ndryshe.

Nga Shtëpia e Bardhë erdhi sërish thirrja për nënshkrimin e marrëveshjes së mineraleve. Këshilltari për sigurinë kombëtare të, Mike Waltz, tha sërish të premten se pret që Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky të nënshkruajë marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Si përfundim, Presidenti Zelensky do ta nënshkruajë atë marrëveshje dhe ju do ta shihni këtë të ndodhë brenda një kohe të shkurtër?”, u shpreh Mike Waltz.

Ndërsa Kremlini tha të premten se ka mirëkuptim të ndërsjellë për nevojën e një takimi mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, por hollësitë janë ende duke u menduar.

Klan News