Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit mund të marrin drejtim tjetër. Për Kremlinin bashkëpunimi mes dy vendeve janë në pikën më të ulët, por sërish Moska është e hapur për dialog.

“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jo mik që është i përfshirë drejtpërdrejt dhe indirekt në një luftë kundër shtetit tonë. Është pothuajse e pamundur që marrëdhëniet të përkeqësohen më tej pasi marrëdhëniet janë në pikën e tyre më të ulët. Çfarë do të ndodhë më pas do të varet nga lidershipi i ardhshëm i SHBA”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Zëdhënësi u shpreh se Trump kishte bërë disa deklarata të rëndësishme në lidhje me dëshirën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë fushatës së tij, por koha do të tregojë nëse ato do të çojnë në veprime konkrete.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se SHBA mund të kontribuojë në përfundimin e këtij konflikti. Kjo nuk mund të bëhet brenda natës, por… SHBA është në gjendje të ndryshojë trajektoren e politikës së saj të jashtme. Nëse do te ndodhe kjo do ta shohim pas inaugurimit të presidentit amerikan në Janar”, shtoi Peskov.

Presidenti Putin ka deklaruar më herët se është i gatshëm të flasë për një fund të mundshëm të luftës.

Klan News