Ukraina e ka dëmtuar urën e tretë mbi lumin Sejm në rajonin Kursk të Rusisë, ka konfirmuar Moska më 19 gusht.
Konfirmimi është bërë përmes një komunikate të lëshuar prej një anëtari të Komitetit Hetues të Rusisë, e cila më pas është publikuar në telegram nga një gazetar i televizionit shtetëror rus, Vladimir Solovyov.
Në videon e publikuar është thënë se forcat ukrainase e kanë goditur urën një ditë më herët.
Më 18 gusht, komandanti i forcave ajrore të Ukraiës, Mykola Oleschuk, ka thënë se trupat e tij kanë dëmtuar urën e dytë strategjike përmbi Sejm, duke kufizuar kapacitetet furnizuese të Rusisë, teksa tenton të parandalojë forcimin e pozicioneve ukrainase.
Blogerë ushtarakë rusë kanë publikuar më parë një video kur është goditur ura e parë, afër fshatit Zvanoje në Kursk.
Sipas zyrtarëve rusë të sigurisë, shkatërrimi i asaj ure e ka pamundësuar qarkullimin në distriktin Glushkov.
Analistët besojnë se shkatërrimi i urave mbi Sejm është taktikë shumë e rëndësishme për të forcuar pozicionet dhe për t’ia pamundësuar Moskës furnizimin e trupave të veta ushtarake.
Ukraina e ka nisur një kundërofensivë të papritur në rajonin rus Kursk, më 6 gusht, duke ndryshuar dinamikën e luftës së nisur dy vjet e gjysmë më parë.
Si pasojë e kundërofensivës ukrainase janë zhvendosur më shumë se 120.000 njerëz prej rajonit të Kurskut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 18 gusht se operacioni ukrainas në Kursk është “duke shkaktuar humbje te ushtria ruse, shteti rus, industria e tyre e mbrojtjes dhe ekonomia e tyre”.
Sipas tij, detyra kryesore e Ukrainës është që “të shkatërrojë sa më shumë potencial rus dhe të kryejë punë maksimale në kuadër të kundërsulmit”, me qëllim të krijimit të një zone neutrale mes dy vendeve.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL