Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u zotua për mbështetjen “e palëkundur” të tërësisë territoriale të Bosnjës, ndërsa paralajmëroi kundër çdo veprimi që nxit tensione etnike.

Sekretari i bëri komentet në Sarajevë pas takimit me anëtarët e presidencës trepalëshe shumetnike.

Bosnja dhe Hercegovina mund të mbështeten te përkrahja e NATO-s, e cila nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet,” tha Sekretari Rutte.

Çdo veprim që dëmton Dejtonin, rendin kushtetues apo institucionet kombëtare është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës.”

Sekretari i NATO-s vizitoi Bosnjën në një periudhë tensionesh pasi ligjvënësit e entitetit serb miratuan një sërë ligjesh që u ndalojnë autoriteteve gjyqësore qendrore dhe të policisë, të veprojnë në territorin e Republikës Serbe.

Ligjet kanë nxitur tensione dhe zyrtarët boshnjakë u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila i pezulloi përkohësisht ligjet, duke theksuar se zbatimi i tyre ka “pasoja serioze dhe të pashmangshme”, që rrezikon rendin kushtetues, ligjor si dhe sovranitetin e Bosnjës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i dënuan veprimet e serbëve të Bosnjës, duke i cilësuar ato kërcënim për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vendit.

Miratimi i ligjeve ishte në kundërpërgjigje ndaj vendimit të gjykatës në Sarajevë e cila muajin e kaluar e dënoi presidentin pro-rus Milorad Dodik, për mosbindje ndaj të dërguarit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në Bosnjë. Situata ngjalli frikën për incidente të ngjashme me ato të fillimit të luftës në vitin 1992.

“Sigurisht, dëgjoj shqetësime për situatën e sigurisë. Por le të jemi të qartë, ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë të shfaqet një vakum sigurie. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe i përkushtuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fortë, duke përfshirë edhe përmes EUFOR-it dhe NATO-s.”

Forcat paqeruajtëse europiane në Bosnje të njohura si EUFOR, thanë se kanë shtuar praninë e trupave në përgjigje të tensioneve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, të martën pritet të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, ku shërbejnë mijëra trupa të aleancës ushtarake perëndimore në kuadër të misionit paqeruajtës.

Klan News