Kreu i grupit parlamentar i PD Gazment Bardhi dënoi vendimin e marrë sot nga Gjykata e Apelit ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji. Ai tha se dënime të tilla janë “medalje” për çdo deputet që ka guximin të denoncojë lidhjet e krimit me qeverinë “Rama”. Më tej ai theksoi se është hera e parë në 34 vite që dikush shkon në burg për ‘kallëzim të rremë’.


Nuk ka asnjë rast në Shqipëri që dikush për kallëzim të rremë të ketë shkuar në burg, është rasti i parë në 34 vite demokraci. Sot, nuk shkon në burg Ervin Salianji, vendimi është kundër çdo qytetari që vendos të përballet me qeverinë e kriminalizuar të Ramës, është kundër çdo qytetari që ka vendosur të jetojë në këtë vend dhe të denoncojë korrupsionin e krimin. Geron Xhafaj është trafikant i dënuar droge, këtë ka thënë Salianji dhe për këtë po shkon në burg. Është kaluar edhe ajo vija e hollë e kuqe mes demokracisë dhe diktaturës që kërkon të instalojë Edi Rama.

Një gjyqtar që ka qenë përfaqësues politik në KQZ për socialistët, ka marrë premtimin  nga Xhafaj që do shkojë në Gjykatë të Lartë. Kush e dha vendimin? Gjyqtarja Bezati e cila i dikton karrierën Xhafajt. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar shkarkimin e saj për paaftësi. Këto janë gjyqtarët që për llogari të një trafikanti mendojnë se do i mbyllin gojën opozitës. Pse nuk bëhet hetim pasuror ndaj Fatmir Xhafajt? A mund t’ua thonë sot shqiptarëve? U ndërtua strategjia për të shtuar prova në dosje, që nuk janë shqyrtuar në gjykatë. Ndodheshin në dosjen në Apel, ky është falsifikim. Rama tani jep mesazhin mafioz që ne nuk duhet t’i denoncojmë. Siç e tha kolegu, dënime të tilla politike janë medalje. Ka marrë medalje sepse ka guximin të denoncojë lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisë së Edi Ramës”, deklaroi për mediat Bardhi./tvklan.al