Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka mbajtur një konferencë për shtyp këtë të Premte, teksa pritet që të ekzekutohet urdhërarresti ndaj tij. Ai risolli në kujtesë denoncimin për çështjen e njohur si “Babalja” në vitin 2018 duke thënë se në atë kohë për rreth 3 ditë, nuk pati asnjë reagim nga qeveria.

“Vendimin e mori, kënaqësi mori, burgun e dha, hoqi mundësinë për të garuar në zgjedhjet e 2025-ës. Frikën e qetësoi, pse ishte kaq i tërbuar Edi Rama dje, çfarë e shqetëson? Pas publikimit të këtij denoncimi, si Agron Xhafaj, trafikant ndërkombëtar si vëllai i tij dhe kryeministri Rama nuk reaguan për 3 ditë me radhë. U fshehën dhe pavarësisht deklaratave të vazhdueshme nga selia e PD për përgjegjësi publike për rastin, ka pasur 0 reagim. Afërmendsh që në rast se do ishte diçka e rreme, do dilnin e do thonin që personi në atë audio nuk jam unë, nuk ndodhi kjo, por ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk bëri hetim penal, duke e lënë trafikantin të largohej nga Shqipëria, e përgënjeshtroi zërin me shkrim. Pasi e bënë gjithë projektin se si do montohej kjo çështje, dolën në deklarim publik.”

Sipas Salianjit, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllai i tij i shpëtuan hetimit penale për trafik droge.

“Si Rama, Xhafaj, të dy me një qëllim për të mbrojtur banditët dhe kriminelët që u shërbejnë. Si PD dhe unë përsonalisht e kisha denoncuar qindra herë çdo grup kriminal, çdo grup famëkeq në këtë vend, çdo bandit, çdo ministër të korruptuar. Të vënë përballë provave të pakundërshtueshme, Geron Xhafaj nga i pafajshëm u dorëzua në Prokurori dhe u kthye në Itali për të kryer dënimin. Edhe në këtë rast u shkel ligji vetëm që Fatmir e Agron Xhafaj t’i shpëtonin hetimit penal për trafik droge. Denoncimi me fakte që gjykata e quan kallëzim të rremë i ndërpreu karrierën politike Xhafajt dhe i dëmtoi reputacionin trafikantit të drogës. Ec e merre vesh…”

Ai theksoi se nuk po shkon në burg si një kallëzues i rremë, por si politikan i ri që ka dëshmuar gjithçka ka thënë me prova.

“Ata u provuan qartësisht se nuk janë funksionarë shteti. Kam kontribut të gjatë në PD në vitet e opozitës, kam denoncuar afera korruptive që e kanë tërbuar Edi Ramën, ministrat dhe pupacët e tij. Unë nuk shkoj në burg si kallëzues i rremë, por shkoj si një politikan i ri, një model i ri që ka dëshmuar me prova shqiptare e italiane përfshirjen e ministrit e familjes së tij në narkotrafik. Është goditje nën brez për të kënaqur epshet e grupeve kriminale. Siç i kam mundur në çdo përballje elektorale, do bëj të njëjtën gjë edhe tani. Nuk më trembin dot mua, qytetarët, opozitën. Përballë do më kenë sot, pas një viti, gjatë këtij viti e kështu për vite me radhë, siç janë kalbëzuar, të rrënohen e rrëzohen. Si ka mundësi që krerët e opozitës janë ose në burg ose në ndjekje penale?! “

Vendimi për 1 vit burg për demokratin u mor dje nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

/tvklan.al