Mateo Salvini po shqyrton mundësinë të zëvendësojë Zhan Klod Junkerin në krye të Komisionit Europian. Në një intervistë për të përditshmen La Repubblica, ministri i Brendshëm italian, drejtues i partisë euroskeptike Lega Nord rrëfeu se këtë ia kishin propozuar edhe miqtë e tij europianë.
“Është e vërtetë, disa miq të mi në vendet europiane më kanë përzgjedhur mua. Është kompliment që ata më shohin si pikë referencë për të mbrojtur popullin edhe jashtë Italisë.”
Salvini tregon edhe planin e tij për të penguar zgjatjen e periudhës së sanksioneve ekonomike europiane kundër Moskës për çështjen e Ukrainës. Muajt e fundit, ministri italian ka zhvilluar takime me drejtuesen të djathtës radikale franceze Marine Le Pen dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Ditët e fundit, Salvini është përplasur me Komisionin Europian që kritikon reformat ekonomike të qeverisë italiane në mbështetje të shtresave të varfra. Brukseli paralajmëron krizë të thellë financiare, teksa Roma po rrit shpenzimet e thellon borxhin. Por Salvini është shprehur se italianët e vendosin vetë fatin e tyre.
Tv Klan