Lodrat janë më shumë sesa thjesht lodra. Ato janë mjete që i ndihmojnë fëmijët të mësojnë rreth botës që i rrethon. Por në SHBA, çmimi i tyre mund të rritet për shkak të tarifave që mund të vendosë Presidenti amerikan Donald Trump.

Drejtuesit e kompanive që prodhojnë lodra po kërkojnë përjashtimin nga tarifat vetëm për këtë industri. Prodhuesit më të mëdhenj në SHBA shfaqën produktet e tyre në Panairin e Lodrave 2025 që mbahet në New York.

“Ndodhemi në Panairin e Lodrave. Po tregojmë të gjitha produktet tona të reja të mrekullueshme për vitin 2025. Ka shumë produkte të reja dhe të shkëlqyera. Ka marka të njohura, si Monopoly, Peppa Pig, Transformers dhe Play-Doh gjithashtu”, tha Tim Kilpin.

Por shumë prej prodhuesve janë të shqetësuar në lidhje me tarifat e planifikuara të qeverisë amerikane.

“Ne punojmë shumë në Hasbro për t’u siguruar që lodrat që prodhojmë të jenë të përballueshme. Mbi 60% e lodrave që shiten në Shtetet e Bashkuara janë nën 20 Dollarë. Ne po punojmë për të zbutur efektin e këtyre tarifave. Po punojmë me shitësit tanë, por edhe me zinxhirin tonë të furnizimit. Pavarësisht përpjekjeve tona më duhet të theksoj se ndikimi I tarifave do të jetë I pashmangshëm”, tha Kilpin.

Presidenti i kompanisë Mattel, Steve Totzke, thotë se po punon për të shmangur taksat shtesë.

“Gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit, Mattel ka bërë një përpjekje për të diversifikuar zinxhirin tonë të furnizimit DHE prodhimit në botë. Tani për tani, ne kemi rreth 40% të lodrave tona që prodhohen në Kinë, ndërsa rreth 20% e produkteve në SHBA. Në pritje të vitit 2027, ne presim që jo më shumë se 25% e lodrave të prodhohet në një vend”, tha Totzke.

Ai po bashkëpunon në mënyrë që produktet të mos preken shumë nga tarifat.

“Ne po punojmë me partnerët tanë të shitjes me pakicë për të përcaktuar mënyrën më të mirë, si t’i vendosim çmimet e produkteve tona për vjeshtën. Jam i bindur se po arrijmë te rezultati i duhur që do të lejojë që produktet tona të vazhdojnë të shijohen gjatë gjithë vitit, por sidomos edhe sezonit të festave”, tha Totzke.

Greg Ahearn, presidenti dhe CEO i Shoqatës së Lodrave, organizatori i Panairit të Lodrave në New York e quan të padrejtë vendosjen e tarifave.

“Rritja e fundit e tarifave, 20% për Kinën dhe ato prej 25%  për Meksikën dhe Kanadanë e bën me të vërtetë shumë të vështirë për bizneset këtu që janë në Panairin e Lodrave në New York. Industria me një tarifë 20% është shumë, shumë problematike për këdo”, tha Greg Ahearn.

Ahearn, shprehet se industria e lodrave është shumë e rëndësishme për shoqërinë.

“Ne nuk jemi ekspertë të tregtisë, por ajo që dua të them është se industria e lodrave është shumë e rëndësishme për shkak të asaj që bëjmë për fëmijët, veçanërisht në aspektin emocional mendëror dhe fizik. Lodrat janë aq të rëndësishme për fëmijërinë e tyre, prandaj industria jonë duhet parë në një tjetër këndvështirim dhe mendoj se duhet të përjashtohet nga tarifat”, tha Ahearn.

Barra e tarifave pritet te bie mbi konsumatorët.

“Ne mendojmë se lodrat janë një pjesë shumë e rëndësishme e fëmijërisë së çdo fëmije dhe vendosja e tarifave mund të bëjë që një lodër të mos shkojë në dorën e një fëmije këtë sezon festash dhe ne duam të sigurohemi që kjo të mos ndodhë”, tha Ahearn.

“Tarifat do të jenë një sfidë e vërtetë për industrinë. Ne erdhëm në Panairin e Lodrave duke menduar se do të kishte një tarifë 10%. Dhe të gjithë menduam, Ok, kjo nuk është një gjë e mirë, por ne ndoshta mund ta menaxhojmë.’ Dhe më pas, kur u hap Panairi i Lodrave, mësuam se do të kishte një tjetër tarifë prej 10%. Pra, një tarifë prej 20% e bën situatën shumë të vështirë. Si t’ja vendos çmimin? Si ta shes? Si mund të marr një fitim?”, tha Chris Byrne.

Kërkesa për përjashtimin nga tarifat vjen pasi tensionet tregtare vazhdojnë të rriten dhe ata që punojnë në sektorin e lodrave kanë frikë se mund të ndikohet padrejtësisht nga masat më të gjera tarifore që mund të shënjestrojnë importet kineze.

“Tarifat në mënyrë të pashmangshme do të duhet t’u kalojnë konsumatorëve. Kështu që ata do të paguajnë me një çmim më të lartë. Nuk ka asnjë mënyrë që një kompani lodrash ta kalojë këtë situatë. Nuk ka asnjë mënyrë që një shitës me pakicë të reagojë pa u prekur. Nëse dëshironi të vazhdoni të bëni biznes, do t’ju duhet të pranoni edhe rritjen e çmimeve”, tha Byrne.

Ndërsa debati mbi politikat tregtare intensifikohet, industria e lodrave po kërkon një zgjidhje që do t’i lejojë asaj të ruajë produkte të përballueshme duke shmangur ndërlikimet e rritjes së tarifave.

Klan News