Në Kryeministri është çelur ekspozita “Ukraina, një krim lufte” me 50 fotografi, dëshmi pamore të agresionit rus mbi popullin ukrainas, pjesë e librit me të njëjtin titull të grupit të fotoreporterëve nga e gjithë bota, si një copëz vizive e dokumentimit historik.

Pjesë e aktivitetit është edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se Shqipëria qëndron në krah të Ukrainës së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja. Teksa kanë mbetur dhe pak ditë nga zhvillimi i samitit të Ukrainës në Tiranë që do të mbahet më 28 Shkurt, Kryeministri Rama është shprehur se do të marrin pjesë shumë liderë nga Evropa.

Edi Rama: Kjo ekspozitë çelet në vigjilje të vizitës së Presidentit Zelensky në Tiranë. Një vizitë, e cila është nga njëra anë, një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është një vizitë, e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën, ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Evropës dhe ku Presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkëorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet që në konteksin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme. Fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë nga mua janë të tepërta sot, për më tepër kur ekspozita i përcjell. Fotot ngjajnë si filma, por janë fotografi të çdo ore, dite dhe nate të popullit ukrainas nën furinë e agresionit rus, krejtësisht i pajustifikueshëm. Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë një të ardhme ku çdo popull ka të drejtën e lirisë, e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të kushtetutës demokratike.

/tvklan.al