Samiti i udhëheqësve për Ukrainën në Londër përfundoi me një plan prej katër hapash e të propozuar nga kryeministri britanik Keir Starmer. Ai tha pas takimit, se liderët ranë dakord për katër hapa të rëndësishëm:

Së pari, për të ruajtur vazhdimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën ndërkohë që lufta vijon dhe për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë.

Së dyti, liderët ranë dakord se çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, dhe se Ukraina duhet të jetë në tryezë për çdo bisedim paqeje.

Së treti, në rast të një marrëveshjeje paqeje, udhëheqësit europianë do të synojnë të pengojnë çdo pushtim të ardhshëm të Ukrainës nga Rusia.

Së katërti, do të ngrihet një “koalicion i shteteve të gatshme” për të mbrojtur Ukrainën dhe për të garantuar paqen në vend.

“Evropa duhet të bëjë punën më të vështirë për sigurimin e paqes”, tha Starmer pas samitit dhe nënvizoi se mbështetja e SHBA-së është e nevojshme. Sipas tij Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vendet e tjera ranë dakord të punojnë me Ukrainën për t’iu dhënë fund luftimeve.

Kryeministri njofton gjithashtu se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të lejojë Ukrainën të përdorë 1.6 miliardë Paund për të blerë mbi pesë mijë raketa të mbrojtjes ajrore.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen thotë se “është e rëndësishme që të përgatitemi për më të keqen”.

Pas samitit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkoi të takojë Mbretin Charles.

Klan News