Samiti i liderëve europianë për Ukrainën të zhvilluar në Londër ka përfunduar pas rreth dy orësh diskutimi.

Në përfundim të Samitit presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa duhet të riarmatoset urgjentisht. Ndër të tjera ajo e ka përkufizuar Samitin si një diskutim i mirë dhe i sinqertë.

Von der Leyen thotë se u diskutuan nevojat për garanci gjithëpërfshirëse të sigurisë, duke përfshirë vendosjen e Ukrainës në një pozicion të fortë dhe sigurimin që ajo të ketë mjetet për të fortifikuar dhe mbrojtur veten.

Presidentja e KE vazhdon duke thënë se “ne duhet të kemi një rritje në mbrojtje”, duke shtuar se nevojitet një plan i qartë nga Bashkimi Evropian dhe një qasje e përbashkët evropiane.

“Tani është me rëndësi të madhe që të rrisim shpenzimet, është e rëndësishme që të përgatitemi për më të keqen,” shprehet Von der Leyen.

Von der Leyen i ka dërguar gjithashtu një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se BE është gati që bashkë me SHBA të mbrojnë demokracinë, të mbrojnë parimin se ekziston një shtet ligjor dhe që shtetet nuk mund të pushtojnë fqinjin ose nuk mund t’i ndryshojnë kufijtë me forcë. Ajo u shpreh se është në interesin e përbashkët që të parandalohen luftrat e ardhshme.

Pas përfundimit të Samitit, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të shkojë në Sandringham për t’u takuar me Mbretin Charles III./tvklan.al