Ukraina dënoi më 2 mars atë që e cilësoi si “shkelje të sovranitetit territorial” nga punonjësit e vëzhguesit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, të cilët vizituan centralin bërthamor të Zaporizhjas, që është nën kontrollin e Rusisë, përmes territorit të pushtuar nga Moska.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Ukrainës fajësoi “shantazhin rus dhe përpjekjet sistematike për t’iu imponuar organizatave ndërkombëtare mekanizma të paligjshëm dhe kontradiktorë të operimit në territoret e pushtuar përkohësisht”.

Një mision i ri monitorues i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore shkoi në centralin e Zaporizhjas më 1 mars, central që është marrë nën kontroll nga Rusia që nga viti 2022. Kjo ishte hera e parë që një ekip nga kjo agjenci e OKB-së shkoi në këtë central përmes territorit rus, tha kreu i centralit, i emëruar nga Moska.

Më herët, misionet monitoruese nga Agjencia për Energji Bërthamore kishin hyrë në territorin e pushtuar nga Rusia përmes territorit të kontrolluar nga Kievi. Kjo agjenci ende nuk ka reaguar lidhur me kritikat e shprehura nga Ukraina.

Grupi i ri monitorues i agjencisë së OKB-së arriti në uzinë disa javë me vonesë, që u shkaktua nga aktiviteti ushtarak përreth centralit bërthamor. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të rregullave që garantojnë udhëtimin e sigurt të monitoruesve për në central.

Centrali bërthamor i Zaporizhjas është centrali më i madh i këtij lloji në Evropë./REL